Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor është padyshim një ndër nismat më të mëdha të politikës së jashtme gjermane, që lidhet ngushtë me emrin dhe angazhimin personal të Angela Merkelit. Shtatë vjet kanë kaluar që nga fillimi i samitit e tani në fund të epokës së Merkelit samiti u rikthye në vendin e tij të origjinës: Por konstruktivitetit pragmatik të procesit, që është edhe meritë e Merkelit, i ka rënë hija e zhgënjimit, që po dominon prej kohësh në vendet e Ballkanit Perëndimor lidhur me pritshmëritë nga BE-ja. Proceset e zgjerimit prej vitesh kanë mbetur në vend-numëro, nga njëra anë sepse ka vazhdimisht veto dhe bllokada në Bruksel, nga ana tjetër sepse vetë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bëjnë përparime thelbësore.
Forca dinamike motorike, me të cilën Gjermania dhe kancelarja personalisht vitet e kaluara është angazhuar vazhdimisht brenda BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit për një perspektivë të tyre në BE, rrezikon që të mpihet një herë e përgjithmonë me fundit e epokës së Merkelit. Ndërkohë që do të ishte jo vetëm e dëshiruar, por edhe në interesin e Gjermanisë dhe të BE-së, nëse Gjermania do të vazhdojë të jetë jo vetëm si ndërmjetësuese e sinqertë, por me të gjithë forcën e politikës së saj të jashtme të angazhohet si promotore për bashkëpunimin rajonal dhe për perspektivën në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Perspektivë realiste – Katër liritë themelore
Bilanci i Procesit të Berlinit është i zbehtë, duke iu referuar në shtatë vjet pritshmërive për arritje të mëdha në bashkëjetesën rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Nuk ka aspak përparim sa ipërket pajtimit dhe njohjes reciprokepolitike. E megjithatë ka shumë suksese të tjera konkrete lidhur me çështje kyç, që janë direkt në dobi të njerëzve në këto vende dhe që hapin rrugën për një normalizim brenda rajonit: Nisma e përbashkët për rininë Ryco, shfuqizimi nga 1 korriku i tarifave Roaming dhe përgatitjet për krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Ky projekt do të mundësojë deri në vitin 2024 në Ballkanin Perëndimor katër liritë themelore – në analogji me BE-në – qarkullimin e lirë të mallrave dhe personave, shërbimeve dhe kapitalit.
Një perspektivë, që ndoshta është më e përshtatshme për të ardhmen dhe më realiste se integrimi në BE për rajonin. Në vendet e Ballkanit Perëndimor shumë njerëz nuk besojnë më, që BE-ja vërtetë i do ata. Sepse edhe atje, ku shtetet i përmbushin detyrat e tyre të shtëpisë, BE-ja ua refuzon atyre atë çfarë u ka premtuar: Procesi i antarësimit me Serbinë dhe Malin e Zi është në stanjacion prej vitesh, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk lejohen ende të nisin negociatat e anëtarësimit, Kosova është i vetmi vend, të cilit vazhdon t’i refuzohet liberalizimi i vizave. Dhe Bosnjë-Hercegovina krahas Kosovës është shumë larg një perspektive konkrete për antarësim.
BE-ja po e humbet rolin e vet si pikë orientimi dhe perspektivë për rajonin. Së fundi vendet e këtij rajoni e ndjenë veten të lënë në baltë sa i përket furnizimit me vaksina. Premtimi i Selanikut është venitur. Të tjerë aktorë janë aktivë: Turqia, Rusia, Kina e po ashtu edhe SHBA-ja.
Politika e hapave të vegjël e dobishme
Për aq kohë sa BE-ja i krijon pengesa vetvetes me bllokadat e vendeve të veçanta në procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, nismat si Procesi i Berlinit janë më të rëndësishme se kurrë. Sepse me politikën e hapave të vegjël amortizohet paaftësia për arritje të mëdha në nivelin e BE-së. Hapat e vegjël në rrugën e duhur janë të rëndësishme për bashkëpunim më të ngushtë rajonal, që në plan afatgjatë e lehtëson jetën e njerëzve dhe gjeneron normalitet e fqinjësi paqësore, aty ku deri tani vazhdojnë të dominojnë dasitë nacionaliste.
Ndërsa po zbehet gjithnjë e më shumë shkëlqimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, angazhimi i shteteve të veçanta dhe institucioneve të BE-së, që janë të lidhura me Procesin e Berlinit, mund të ketë një rrezatim udhërrëfyes. Të gjitha partitë, që në zgjedhjet për Bundestagun kanë futur në garë kandidatët e tyre për pasues të Merkelit, e mbështesin zyrtarisht procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Por lipset më shumë se kaq, për të përballuar zhgënjimin e krijuar në rajon: Angela Merkel me konstruktivitetin e saj profesional ka krijuar formatin, që ka nevojë dhe e meriton të vazhdohet, të ripërtërihet dhe të forcohet nën një qeveri të re në Berlin./ DW