Ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar një letër zv. kryetares së këtij institucioni dhe anëtarëve të tij pas shkarkimit të tij nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Ai e quan të paligjashëm shkarkimin e tij duke deklaruar se KLGJ e ka shkarkuar vetëm me një fjali, pa arsyetuar këtë vendimmarrje. Dvorani thotë se edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga ky vendim, ai akoma nuk është zbardhur nga KLGJ, për t’iu vënë në dispozicion atij.
Në letrën e siguruar nga ABC News thotë se kërkesa e bërë nga presidenti në datë 10 prill për mbarimin e mandatit të kreut të KED ka pasur si efekt pezullimin e veprimtarisë së këtij organi.
“Në datën 11 Qershor 2020, KLGJ ka dalë me një vendimmarrje për këtë kërkesë të Presidentit të Republikës. Vendimi përkatës ende nuk është zbardhur dhe e vetmja gjë e bërë publike është se KLGJ ka “vendosur” që gjyqtarit Ardian Dvorani i “ka mbaruar detyrimi të ushtrojë detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”.
Kjo lloj vendimmarrje, e cila në vlerësimin tim është haptazi e paligjshme, pavarësisht vlerësimeve që po bëj për mundësinë e ndjekjes së kundërshtimit sipas ligjit, sjell si efekt, jo vetëm pengesën që të ushtroj funksionet e gjyqtarit dhe zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë, por njëkohësisht, së paku, edhe mosqenien time në funksionin e Kryetarit të KED.
Në fakt, sipas ligjit, efekte të plota formale të këtij “vendimi” të KLGJ vijnë vetëm me njoftimin që duhet të më bëhet për vendimin e arsyetuar të KLGJ. Për të mos e shtuar më tej antikushtetueshmërinë ekzistuese të procedurës së ndjekur deri më tani dhe të vendimmarrjes, ky “vendim” i KLGJ-së duhet të jetë i arsyetuar sepse ndryshon në thelb statusin e një gjyqtari duke më ndaluar të vijoj ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”, shprehet Dvorani.
Dvorani i kërkon kryetares së KED-së, Vitore Tusha, së cilës i kërkon që të vazhdojë punën për kandidatët për Gjykatën e Kushtetuese.
“Do të kërkoja nga zëvendëskryetarja e KED 2020, Vitore Tusha, si edhe nga anëtarët e tjerë të Këshillit të vlerësojnë menjëherë të gjitha këto rrethana, të marrin nismat përkatëse dhe të kryejnë veprimet e nevojshme paraprake për njoftimin e kandidatëve lidhur me relacionet e përgatitura për gjetjet në
procedurat e verifikimit të kandidaturave të tyre, si edhe për të përcaktuar menjëherë thirrjen e mbledhjes së KED me rend dite shqyrtimin e gjetjeve në procedurat e verifikimit të kandidaturave për një vend vakant, vakancë e parakohshme, të shpallura nga secili organ emërtese, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës” thotë Dvorani. /abcnews.al