“Durrësi, hyrja e Ballkanit”, Rama: Porti gati për 6 vite, 4 porta edhe nga ajri (Batuta për plazhet nudo)

schedule19:39 - 16 Prill, 2021

schedule 19:39 - 16 Prill, 2021

Në prezantimin e masterplanit për transformimin e portit të Durrësit në turistik, që zgjodhi ta bëjë në javën e fundit të fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama u shpreh se qyteti bregdetar do të kthehet në portën tregtare të Ballkanit. Për 6 vite, tha më tej Edi Rama, ëndrra do të jetë bërë realitet. Në këtë projekt, po sipas kreut të qeverisë shqiptare do të investohen 2 miliardë euro.

Të gjithë ata që kanë jahte, por edhe të gjithë të tjerët që lëvizin do të duan të vijnë në Durrës. Kjo është vërtetë një arsye për t’u ndiej të frymëzuar, motivuar dhe të vendosur për ta çuar deri në fund këtë ëndërr, që nga 3D, në 4-5-6 vite do të jetë këtu ku jemi ne sot. Nuk do të ketë më ndotje, por jetë të re që pulson dhe këtu do të jetë zemra e turizmit shqiptar, Durrësi do të kthehet në një forcë të madhe të shtuar të ekonomisë shqiptare.

 

Lexo edhe: “Si më inspiroi gjyshi më Alfa Romeo” Rama prezanton Portin Turistik në Durrës: Takimi që e bëri realitet

Durrësi do të kthehet aty ku ishte atëherë kur këtu vinin ato pak anije, që lëviznin atë kohë dhe këtu lëvizte e gjithë tregtia, në vendin ku do të vijnë të gjitha anijet e kohës së jetojmë. Durrësi portë tregtare e Ballkanit, sot është dita kur ne kalojmë nga ëndrra në realizimin e saj” tha ai.

Lexo edhe: Porti i ri turistik i Durrësit, biznesmeni arab: Ju siguroj që do ta bëjmë me dashuri e kujdes

Por jo vetëm portet, Rama u ndal edhe aeroportet. “Ne do të hapim 4 porta në bregdetin tonë nga Adriatiku në Jon. Brenda qershorit e nisim në Vlorë më pas në Sarandë, brenda 2023 do të fillojmë ndërtimin e portës në Shëngjin. Por edhe 4 porta të tjera nga ajri, aeroporti i Kukësit është gati, po ashtu edhe ai i Vlorës dhe Sarandës” tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri edhe disa batuta. “Se kur këtu të fusnin në burg për Çelentanon, në Kroaci dhe Slloveni kishte plazhe nudo, dhe ju e dini që unë në këtë fushë kam një farë kompetence” tha ai, referuar fotove nudo të tij shumë vite më parë.

I pranishëm ishte edhe drejtuesi i kompanisë Emaar Group, ndërsa Rama zbuloi sekretin pse ai vendosi që të investonte në Shqipëri. “Arsyeja pse besoi te Shqipëria jam i bindur që lidhet me fëmijërinë e tij për të cilën më ka treguar se jetonte në varfëri.

Emaar Group nuk është trashëgimtar i familjes mbretërore, por një njeri shumë i zakonshëm nga një familje e varfër që pa me sy hapur një ëndërr, që e ndoqi përmes shumë sakrificave dhe arriti që të jetë njëri prej atyre që e kthyen shkretërirën në një minierë të ardhurash dhe i dhanë popullit të tyre një buzëqeshje dhe më ka thënë që mua në majë më ngjiti dashuria dhe mirënjohja e përjetshme për nënën time.

Unë do vij në Shqipëri, do rri në Shqipëri dhe do të ndihmoj që njësoj siç ka ndodhur me aq shumë familje dhe njerëz jo të pasur që sot bëjnë jetë me mirëqenie të lartë në tokën time, të ndodhi edhe në tokën tënde” rrëfeu Rama./ db/ Abcnews.al