Durrësi ka nisur zyrtarisht sezonin e kroçierave turistike edhe për këtë vit kalendarik. Në portin e Durrësit mëngjesin e kësaj të hëne është ankorua “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë.
“Bukuroshja e Adriatikut”, për të disatin vit radhazi ka hapur siparin e sezonit turistik për kroçierat, të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë qëndrimit një ditor në Durrës, turistët e huaj ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës.
Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit.
Ndërkohë mësohet se ky udhëtimin nuk do të jetë i vetmi drejt Durrësit për këtë vit, pasi është planifikuar që gjatë sezonit turistik kjo anije turistike të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.
“Monet”, “Sea Cloud, “Amadea” apo “Seven Seas” janë disa nga kroçerat që do të rikthehen edhe këtë sezon në portin e Durrësit.
Anijet turistike dhe jahtet po përfshijnë gjithnjë e më shumë vendin tonë në agjendat e tyre, duke e kthyer në një prej distanacioneve të preferuara. Sipas të dhënave zyrtare nga Dispeçeria Qendrore e Autoritetit Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, 23 kroçiera kanë konfirmuar ndalesë turistike në Durrës.
Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijeve dhe sigurinë e turistëve në territorin portual, duke vënë kalatë të dedikuar në funksion të tyre përgjatë gjithë sezonit.
Ndërkaq pas përfundimit vizitës së saj në Durrës, kroçera “La Belle de L’Adriatique” do të niset drejt Portit të Bar(Mal i Zi) për të vijuar agjendën e planifikuar./abcnews.al