REPORTAZH/ Durrësi 10 ditë pas tërmetit, udhëtim gjatë një nate nëpër rrugët e qytetit

schedule09:00 - 9 Dhjetor, 2019

schedule 09:00 - 9 Dhjetor, 2019

Udhëtim nëpër natë  në Durrës, dhjetë ditë pas tronditjes që la pas termeti i 26 nëntorit. Udhëtim përmes kujtimeve të dy prej personazheve të qytetit, aktori Xhelal Tafaj dhe inxhinieri, Gazmend Oketa. Ata flasin për netët e fëmijërisë dhe djalërisë së tyre nëpër Durrës por edhe netët e kohëve të vështira të qytetit… natën e tërmetit, frikën e trishtimin që ndjenë kur panë qytetin tërësisht bosh.

-Reportazh nga Luljeta Progni në Abc News

 

Ka rënë nata në Durrës dhe qyteti vazhdon ta ketë zhurmën e zakonshme të kësaj ore. Po afrohet ora 10 e darkës por ka lëvizje nëpër qytet, nëpër kafene e shëtitore.

Megjithatë shumica e qepenave janë të mbyllura. Në fakt nuk janë hapur prej datës 26 nëntor pas tërmetit. Zbrazëtia e rrugëve në këto kohë është e zakonshme për Durrësin e një ditë normale dhjetori.

Por siç duket ka njerëz më shumë se sa zakonisht. Ndoshta se vazhdojnë të qëndrojnë poshtë pallateve të ndikuar ende nga frika që shkaktoi ajo natë kur Durrësi u duk se po shkulej prej themeleve…

Do të përpiqemi të rrëfejmë një udhëtim nëpër natën e një qyteti, dhjetë ditë pas tronditjes që i la pas tërmeti I 26 nëntorit. Udhëtimi do të jetë përmes kujtimeve të dy prej personazheve të qytetit.

Është me ne në këtë udhëtim një figure e dashur për durrsakët, aktori Xhelal Tafaj. Do të na flasë për netët e fëmijërisë dhe djalërisë së tij nëpër Durrës por edhe netët e kohëve të vështira të qytetit.

Edhe natën e Tërmetit, frikën e trishtimin që ndjeu kur pa qytetin tërësisht bosh. Do të na tregojë se si shenjat e qytetit janë zhdukur dhe mbi to ngrihen përbindësha deri në 25 kate.

Ish-markata, është stacioni i parë.

“Erdhëm në këtë zonë ku ka qenë merkaot e qytetit. Mbetet në kujtesë…Për fat është bërë lulishte, ishalla nuk realizohet ajo që iu ka shkuar në mendje, sepse thonë që është dhëna leja për tu ndërtuar pallat“, thotë ai.

Një tjetër personazh që e do shumë Durrësin, Gazmend Oketa,  që kurrë nuk ka menduar ta braktisë, do të na rrëfejë çfarë i ka dhembur më shumë nga zhdukja e shenjave të dikurshme të qytetit.

“Më ka dhembur më shumë që rruga tregtare e durrësit nuk i ka më kalldrëmet që gjykoj që me një mendjelehtësi dhe me një injorancë ekstreme u hoqën e u bënë asfalt. Nëse përpara 5 vitesh, e kisha pothuajse të padiskutuar faktin, që nuk do të largohesha kurrë nga ky qytet, tashmë nuk e kam më me atë pasion. Fatkeqësisht vitet e fundit Durrësi e ka humbur fizionominë e tij”.

Na rrëfen brengat për shkatërrimin e qytetit. E nis te lulishte 1 maji, mbi të cilën është ndërtuar kjo godinë shumëkatëshe.

“Kjo është një nga pikat orientuese të qytetit, kjo quhej lulishte 1 maji. Është si pikë takimi për të gjithë durrsakët“, rrëfen Oketa.

Prej datës 26 nëntor menjëherë pas tërmetit, Oketa është në terren si ingjinier ndërtimi për të ndihmuar në konstatimin e dëmëve që i janë shkaktuar shtëpive durrsake e pallateve të vjetra e të aty shumëkatëshe. Ka inspektuar qindra ndërtesa.

“Presioni i jashtëzakonshëm, për ndërtime shumëkatëshe bëri që qyteti të mbipopullohej vend e pa vend. Sot për shkak të këtij presioni, për shkak të parave, që hyjnë nga të gjithë anët, qyteti i Durrësit vuan pasojat e tërmetit të 26 nëntorit”.

Në sheshin e qytetit, si kudo tjetër ka ndryshime drastike të cilat kanë qënë dhe janë kaq të padëshiruara për durrsakët.

“Më mungon ai Bulevard, ai shesh qendror i qytetit, që kishte dicka më të ngrohtë, e më intime, ka patur disa simbole të thjeshta, që lidhnin Durrësin me detin”.

Jemi përsëri në Shesh, atje ku nuk ka durrsak që nuk ka kujtime. Por kanë mbetur vetëm fotografitë, sepse sheshi është transformuar,  është zhdukur memoria historike e tij.

Mallin për fëmijërinë e rininë ai e shuan në këtë shëtitore, që është quajtur gjithmona rruga tregtare. Është ndër të paktat vënde që i kanë shpëtuar betonizimit.

Ecim nëpër shëtitore për të shkuar tek torja veneciane së cilës tani ia zë frymën Veliera e famshme… masivi i madh me beton.

Kur pa të boshatisej Durrësi, padyshim që ndjeu frikë e trishtim… i kishte ndodhur ta shihte kështu të boshatisur vetëm në një film që evokontë një kohë të hershme..

Si të gjtihë durrsakët, Xhelali është kaq i trishtuar për ndryshimet që ka pësuar qyteti bregdetar dhe po aq i pafuqishëm për ta ndalur dorën e shkatërrimit mbi qytet.

“Është një katrahurë edhe urbanistik. Ka pas qenë një rast, që ka ngecur një autobus me të huaj. Të krijon trishtim dhe të pikëllon”.

E vazhdojmë udhëtimin tonë natën nëpër Durrës për të parë çfarë ndodh nëpër rrugicat bosh të qytetit sepse ka kaluar mesnata dhe tani të gjithë i janë kthyer shtëpive të tyre.

Ndeshim nëpër rrugë makinat e punonjësit e pastrimit të qytetit. Njëri prej tyre afrohet për të na thënë se qyteti është i qetë dhe pa problem.

“Qetësi është, policia gjithë natën lëviz. Njerëzit vazhdojnë të flenë nëpër makina”.

Na tregon se si atë natë të tërmetit ishte duke pastruar në këtë rrugë dhe  vrapoi për tek banesa e tij ku kishte lënë në gjumë fëmijët.

“Ne ishim duke punuar te muzeu kur ra tërmeti i parë. Ikëm në shtëpi, mora fëmijët dhe i nxora jashtë”.

Ecim nëpër rrugica ku gjithçka hesht. Ka makina të parkuara poshtë pallateve nëpër të cilat shquan ndonjë dritë të ndezur.

I gjen shumë patrulla policie nëpër rrugica e sheshe.

Është ora 2 e 30 pas mesnate.  Duke lëvizur nëpër qytet sheh se nuk ka më shumë njerëz që flenë nëpër makina… Por ka ende  njerëz që flenë nëpër çadra.

Është njëra prej tyre ku po flenë dy të moshuar. Banesa e tyre ndodhet në pallatin përballë dhe duket e dëmtuar. Bashkia e ka shpallur të pabanueshme për momentin.

“Ku të shkojmë, kam punuar një jetë për atë shtëpi, si ta lë”.

Në spitalin e qytetit është gjithashtu qetësi… për rreth 30 minuta që qëndruam atje nuk pati asnjë urgjencë. Mjekët e spitalit na thonë se situate është normalizuar.

Ka megjithatë raste të pacientëve që vijnë në urgjencë me ankthe për shkak të tërmetit.  Në urgjencë nuk është fluksi i një natë të zakonshme. Ndoshta edhe sepse nuk janë kthyer të gjithë ata që u larguan për shkak të pani8kut të ditëve të para pas tërmetit.

Ndërkohë shfaqen nëpër rrugë punonjësit e bashkisë që kanë nisur të vendosin dritat e zbukurimet e festave  sepse qyteti do të festojë edhe pse me dhimbjen e pasojat që la pas tërmeti.

Po afrohet ora 3 e natës. Nëpër qytet nuk gjen bar apo restorant hapur. As lokale natë nuk. As në rrugën e plazhit atje ku përqendrohen zakonisht  të rinjtë që qëndrojnë deri natën vonë.

Ka mbetur vetëm një kafene që qëndron 24 orë hapur atje ku mësojmë se si ka ndryshuar jeta e natës në qytet.

Po afrohet ora 3 e 50, koha kur ndodhi tërmeti i 26 nëntorit. Papritur nisin të shfaqen njerëz nga rrugicat që i drejtohen shëtitores drejt portit. Një zonjë na thotë se përse është në këtë orë në rrugë…

“Dalim herët, dalim andej nga deti. Frikë kemi dhe na ka ngelur ende”.

Dalëngadalë nisin të lëvizin edhe makinat. Shtohen edhe njerëzit që dalin nga rrugica të ndryshme afër sheshit, kryesisht tek rruga tregtare. Nisin të hapen kafenetë e para. Po afrohet agimi i ditës së re. Bregut të detit po shtohet lëvizja.

Ka zbardhur drita dhe qyteti nis të gjallojë./abcnews.al