Durrës, reshjet përmbytin kolektorin e ujërave

schedule16:03 - 15 Prill, 2019

schedule 16:03 - 15 Prill, 2019

Në Durrës, Ujësjellës Kanalizimet kanë nisur zhbllokimet e kolektorit të ujërave, pasi me reshjet e fundit, ato u bllokuan në disa vende. Ndërkohë drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve ka njoftuar se ujësjellësi i ri për qytetin e Durrësin do të vihet në funksion brenda muajit.

Ky kolektor i ujërave të shiut prej më shumë se tre dekadash nuk është pastruar. Ujësjellës Kanalizime Durrës po punon për zhbllokimin e tyre. Mjetet e ndërmarrjes janë përqendruar në rrugën “Mujo Ulqinaku” dhe rrugën “Kristo Sotiri”.

“Do vazhdojmë të pastrojmë kolektorin e ujërave të shiut dhe ujërave të zeza. Momentalisht po shfrytëzojmë rastin që këto rrugë janë bllokuar nga Bashkia e Durrësit për t’u rikonstruktuar. Ne do vazhdojmë punën tonë me mjetet tona teknologjike, me stafin tonë dhe ndihmën e bashkisë që të pastrojmë këto kanale dhe të minimizojmë sa më shumë fenomenin e përmbytjes”, tha Spartak Kovaçi drejtor i Ujësjellës Kanalizime Durrës.

Brenda një muaji do te vihet në funksion ujësjellësi i ri për qytetin e Durrësit. Ai do të sjellë tre herë më shumë ujë sesa aktualisht.

“Brenda një muaji mbaron investimi i ujësjellësit të ri për qytetin e Durrësit. Fillon nga Fushë Miloti dhe vjen deri në Durrës dhe ky investim do të bëjë që të trefishohet sasia e ujit dhe brenda një kohe të shkurtër do të kemi furnizim 24 orë ujë”, tha Kovaçi.

Në prag të sezonit turistik, Kovaçi jep garanci se nuk do të ketë më gropa septike apo ujëra të ndotura që të derdhen në det.

“Falë investimeve të qeverisë shqiptare, bashkisë dhe Ujësjellës Kanalizime Durrës,  nga Ura e Dajlanit deri te Përroi i Agait, të gjithë qytetarët dhe bizneset janë të lidhur me rrjetin e kanalizimeve. Këto kanalizime shkojnë në impiantin e trajtimit në Shënavlash dhe pas trajtimit, dalin të pastra duke u derdhur në det. E gjithë kjo zonë nuk ka më gropa septike dhe nuk ka më derdhje në det”, tha ai.

Gjendja e kolektorëve të ujërave të shiut paraqitet problematike, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë më shumë se 30 vjet pa u pastruar. Ato përmbyten sa herë ka reshje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!