5200 objekte të prekura në Durrës, prej të cilave 1200 janë shtëpi.
Është ky bilanci paraprak i grupeve të punës në terren, të cilët po kryejnë akt-konstatimet për shkak të përmbytjeve që goditën jo pak qarkun e Durrësit.
News ndoqi nga afër një grup pune në terren dhe, siç duket edhe nga pamjet, skuadrat trokasin derë më derë.
Zona e ish-kënetës është zona me numrin më të lartë të banesave që kanë pasur probleme të mëdha nga përmbytja. Por edhe Shkozeti, Plazhi e Spitalla nuk qëndrojnë pas.
Me qindra banesa të përmbytura janë konstatuar edhe në Sukth dhe Katund të Ri, ku gjithashtu po punohet për konstatimin e dëmeve në banesa.
Një grup pune mund të kryejë deri në 30-40 akt-konstatime në ditë dhe po punojnë me qëllim që ky proces të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Kjo është faza e verifikimit të dëmeve, pasi do të jetë edhe një fazë tjetër ku do të përllogariten dëmet.
Pjesa më e madhe e personave të evakuuar janë rikthyer në shtëpitë e tyre, përveç atyre që janë vendosur në konvaleshencën e ministrisë së rendit dhe në shtëpinë e pushimit të oficerëve, pasi për këta ka procedura të tjera shtesë për rikthimin në banesa.
Më parë grupet e punës duhet të bëjnë kontroll në shtëpitë e tyre nëse janë ose jo të banueshme dhe më pas japin vendimin për rikthimin e tyre.


