Vitin e ardhshëm, Durrësi nuk do të ketë më problemet e hershme për derdhjen e ujrave të zeza në det dhe kufizimet me orare të zgjatura të furnizimit me ujë të pijshëm. Investimi më i fundit i qeverisë shqiptare, parashikon t’i japë zgjidhje kësaj situate, sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri.
Përfundimi i rrjetit të kanalizimeve dhe ujësjellësit në Durrës do t’i japë fund mungesës së ujit të pijshëm dhe derdhjes së ujrave të zeza në det. Garancinë ia dha durrsakëve ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, por edhe kryebashkiaku Vangjush Dako.
Ministri Gjiknuri u ndal më pas tek reforma në sektorin e ujit të pijshëm duke u bërë thirrje edhe njëherë familjarëve të shfrytëzojnë afatin e zgjatur me 1 muaj për vetdisiplinim pa penalitete.
Damian Gjiknuri: “Të gjithë këto investime që të jenë të qëndrueshme duhet të kemi një shëndoshje financiare të sektorit. Shëndoshja financiare vjen nga pagesa e rregullt e ujit ashtu sikurse ndodhi me energjinë. Qytetarët që paguajnë nuk mund të mbajnë përsipër edhe ata që nuk paguajnë. Nëse të gjithë paguajmë, kemi mundësinë të bëjmë edhe më shumë investime”, u shpreh Gjiknuri.
Kryebashkiaku Dako tha se tanimë ka nisur aksioni për prerjet e lidhjeve të paligjshme dhe se, kanë filluar jo vetëm lidhjet e reja por edhe pagesat. Për një muaj janë bërë aq lidhje të reja sa ishin bërë për një vit e informoi Dako ministrin.
Linja e re e furnizimit me ujë për qytetin e Durrësit është një investim që arrin në vlerën e 31.6 milionë euro. Ndërkaq, ka përfunduar faza e parë e investimit për ndërtimin e rrjetit sekondar të kanalizimeve në zonën e Plazhit në vlerën 7.7 milion Euro. Faza e dytë e punës për këtë rrjet është duke u kryer aktualisht dhe financimi shkon në 5 milion Euro. Në total, investimet për ujësjellës dhe kanalizimeve në Durrës shkojnë mbi 50 milionë Euro.