Laçi nuk ia doli të ngrinte lart trofeun e Kupës së Shqipërisë, pasi u mposht me përmbysje nga Vllaznia në finalen e zhvilluar në “Air Albania”, pasi të besuarit e Mirel Josës mposhtën 2-1 djemtë e Shpëtim Duros.
Pas ndeshjes tekniku i kurbinasve analizoi këtë finale, ndërsa theksoi se humbja erdhi për shkak të gabimit të portierit të tyre.
“E nisëm mirë lojën, më pas u barazuam. Pjesa e parë ishte e barabartë, në pjesën e dytë, ne kemi qenë më kërkues. Janë finale që përcaktohet nga episode të veçanta. Në shtesa, ishte goli i avantazhit për Vllazninë, që ishte deçizive. Ishte goditje e mirë e Adilit, por duhet të them se ishte pakujdesi e portierit tonë”.
“Në pjesën e dytë, kemi qenë më kërkues, pranë portës së Vllaznisë. Guindo ka punuar mirë sot, edhe gjatë gjithë kampionatit. Një pakujdesi, një shpërqëndrim, na kushtoi. Nuk kishim shansin më pas për të barazuar. Si lojë, skuadra dha maksimumin, por finalet janë të tilla që nuk duhet të gabosh”.
“Pas shënimit të golit, kishim momente për të shënuar dhe golin e dytë, por pjesa e parë ishte e barabartë. Në pjesën e dytë, luajtëm më mirë. Skuadra funksionoi, por e thashë, në këto finale, presioni ndikon, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Jam pishman për atë golin e dytë, pasi Vllaznia nuk shfaqi rrezikshmëri”.
“Përderisa ne luajtëm shumë më mirë se Vllaznia, mendoj se sulmi me dy lojtarë ishte zgjedhja më e mirë. Skuadra funksionoi, sidomos në pjesën e dytë. Por pas humbjes në finale, komentet janë të tepërta dhe unë nuk kam çfarë të them”, përfundoi Duro. /f.a/abcnews.al