Duro: Anderlecht vitrinë për ne, Hasi na dha këshilla! Kompany fantastik, na befasoi!

schedule14:59 - 12 Gusht, 2021

schedule 14:59 - 12 Gusht, 2021

Shpëtim Duro është futur në historinë e Laçit, si i pari trajner që kalon dy ture në kompeticionet europiane me kurbinasit. Në turin e tretë të Conference League bardhezinjve u rezervuan goglat një rival si Anderlecht, një nga klubet më të mëdha në Belgjikë.

Ndeshjen e parë në Elbasan e fituan 3-0, ndërkohë që trajneri Duro ka dhënë në prag të ndeshjes së dytë një intervistë për “La Derniere Hour – Les Sportes”. Sigurisht nuk mungon në diskutim as Besnik Hasi, ish-kapiten i kombëtares dhe pjesë e Anderlecht për shumë vite.

TELEFONATA ME HASIN –  “Besnik Hasi na telefonoi për të na dhënë disa këshilla mbi Anderlechtin dhe përballjen me ta. Ai është shumë i madh për ne dhe ka kontribuar shumë për futbollin shqiptar”, tregon Duro.

 

SYNIMET NË EUROPË – “Objektivi ynë fillestar ishte të kalonim një tur, por tani e shohim veten në raundin e tretë, ndaj kemi përmbushur gjithçka me sukses. Natyrisht që na vjen keq që jemi në prag të largimit nga Europa, por edhe për faktin që në përballjen e parë me Anderlechtin na munguan dy lojtarët tanë më të mirë, Mazrekaj e Shehu.

Megjithatë Anderlechti është komplet një botë tjetër, që ka dy apo tre lojtarë për rol, ndërsa ne na u desh të plotësoheshim me futbollistë të të rinjve apo të skuadrës rezervë. Ata kanë lojtarë shumë të mirë, por mua më pëlqyen më së shumti Sergio Gomez, Rafaelov dhe Verschaeren. Shpresat tona për kualifikim janë minimale në ndeshjen e kthimit, por do të provojmë të tregojmë cilësitë tona”, tha Duro.

KOMPANY – “Po të shikosh karrierën e tij, klubet ku ka luajtur dhe faktin që është trajner i një klubi të madh në Belgjikë, të duket befasuese kur vjen ai i pari dhe të përshëndet, pasi normalisht duhet të ishte e kundërta. Shumë herë njerëz të këtij niveli na shikojnë me një sy ndryshe, por Kompany e ka kokën mbi supe dhe është i përulur. Ai na kishte vlerësuar maksimalisht dhe ishte përgatitur për përballjen me ne. Është vërtetë një njeri i madh, ndaj i urojmë suksese në karrierën si trajner”, u shpreh trajneri i Laçit Duro.

 

LAÇI I TIJ – “Ne jemi një klub që formojmë lojtarë për t’i shitur më pas në klubet e huaja, kryesisht në Kroaci, Turqi e Hungari. Tregu belg është disi i mbyllur për ne, pasi nuk jemi shumë popullorë këtu, megjithatë më herët kanë qenë Olayinka e Abazaj, që janë transferuar nga Skënderbeu te Gent dhe Anderlecht.

Ne humbëm 70% të futbollistëve në fund të sezonit dhe jemi ndërtuar rishtazi, por mund të them se me 2-3 përforcime, mund të garonim për mesin e renditjes në Ligën e parë belge. Aktualisht kemi 5-6 lojtarë të aftë për të bërë karrierë jashtë vendit. Mund të them se emra si Shehu, Deliu e Lushkja mund të luajnë fare mirë në ligën tuaj të parë”.

FUTBOLLI SHQIPTAR – “Klubet shqiptare janë të vogla, por futbolli ynë është duke bërë një përparim të madh. Kombëtarja mori pjesë në Euro 2016, ndërsa Skënderbeu luajti dy herë në grupet e Europa Leagues. Falë investimeve të Federatës së Futbollit, në 10 vitet e fundit është përmirësuar ndjeshëm infrastruktura dhe pjesëmarrja në kompeticionet europiane na ndihmon edhe më shumë, sidomos në aspektin financiar, pasi na jep mundësi të reklamojmë futbollistët tanë në Europë.

Këtë verë kemi eliminuar një klub si Universitatea Craiova, me një buxhet disa fish më të lartë se i yni dhe tani po përballemi me Anderlechtin, ndaj vitrinë më të mirë nuk besoj se ka. Me punën që po bëjmë, kemi ngjallur interes te klubet e huaja dhe mund të them se kemi pasur edhe kontakte nga klube të ligës së dytë në Belgjikë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!