Durant e James shkëlqejnë në NBA

schedule21:26 - 30 Nëntor, 2018

schedule 21:26 - 30 Nëntor, 2018

Një basketboll i nivelit të lartë u luajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë. Kevin Durant dhe Lebron James ishin të shkëlqyer, ndonëse patën fat të kundërt.

Tri histori të mëdha i ndanë vetëm pak orë. Amerika dhe Europa provuan thuajse njëkohësisht emocionet e rralla të basketbollit, me protagonist dy yje në NBA dhe dy formacione fitues në Euroligë. Ata ishin Kevin Durant e Lebron James në bregun e majtë të Atlantikut, dhe CSKA e Moskës e Reali i Madridit në atë të djathtin. Durant ishte sërish lider i Golden State, ndonëse shkëlqimi i tij prej 51 pikësh nuk i siguroi dot fitoren ekipit të tij. Supertalenti pati ndeshjen e tretë radhazi me të paktën 44 pikë të realizuara, një nga të paktët në historinë e lavdishme të NBA-së. Ai shtoi edhe 11 topa në tabela dhe 6 pasime për kosh, ndërsa Golden Stejti u mund në fushën e Torontos, 128-131, pas kohës shtesë.

Pavarësisht humbjes, kampionët luajtën me dy mungesa të mëdha, si Stephen Curry e Drejmond Green, ndaj kur ata të kthehen, besohet se ata do të jenë sërish favoritë për të mbrojtur titullin. Lebron James, ndërkaq, shkëlqeu në fitore. Basketbollisti numër 1 i botës shënoi 38 pikë në 38 minuta, duke qenë ai faktori kryesor i suksesit të Los Angelos Lakes ndaj Indianës në triumfin, 104-96. James kapi 9 topa në tabela, shërbeu 7 pasime për kosh dhe vodhi dy topa, në një sfidë tepër të vështirë, duke i dhënë fund serisë prej 3 humbjesh radhazi të skuadrës së tij.

Edhe Europa pati kulmin e saj të lojës së koshit. Në Madrid u luajt një finale e parakohëshme e Euroligës, mes Realit dhe CSKA-së së Moskës. Kampionët në fuqi të kontinentit u mundën në shtëpi nga formacioni rus, 88-93. Miqtë kryesuan në pjesën më të madhe të kohës, nën lidershipin e amerikanëve Higin e Klajbërn, si dhe të francezit De Kolo. Madrilenët kaluan në epërsi në pjesën e dytë, por nuk mundën të përballonin forcën fizike të rivalëve, pavarësisht lojës së mirë të argjentinasit Kampaso, dhe spanjollëve Rudi Fernandez e Felipe Rejes. CSKA u ngjit e vetme në krye të Euroligës me 9 fitore e 1 humbje, ndërsa Reali është i treti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!