Parlamenti europian miratoi me shumicë votash raportin për Shqipërinë por njëjtë si aleati i tij, edhe Vangjel Dule, i lexon ndryshe qëndrimet e ndërkombëtareve kur bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Nuk kam konstatuar certifikim të këtyre zgjedhjeve, nga asnjë deklaratë, nga asnjë autoritet unilateral apo multilateral ndërkombëtar. Përkundrazi, është hera e parë që në raport nuk kemi atë shprehjen e famshme që pavarësisht problematikave u shënuan hapa para. Është thembra e Akilit. Nuk janë zgjedhje, për rrjedhojë mos prisni dhe nuk duhet të presim që të na thonë se zgjedhjet ishin të papranueshme dhe duhen përsëritur.”
Dule thotë se opozita duhet ta ktheje gishtin nga vetja për disfatën e thellë në zgjedhje ndonëse humbjen e justifikon me përcarjen e opozitës dhe përpjekjet sipas tij për të blerë njerëzit prane saj.
“Dështuam, sepse edhe njerëz nga radhët tanë u blenë, apo ranë viktima të presionit. Apo edhe fenomene të tjera, të cilat kanë të bëjnë me divergjenca brenda kampit opozitar. Imagjinoni për një moment nëse vota opozitare do të ishte e unifikuar, se çfarë votë të shtuar do të kishte sjellë në rezultatin përfundimtar dhe ndoshta edhe përmbysje të rezultatit. Është investuar qeveria në përçarjen e opozitës. “
E teksa Sali Berisha po pret mbarimin e pushimeve për të nisur protestat, Dule thote se ato duhet të ishin të pandalshme, që pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Është çështje e shoqërisë sonë, e zgjedhësve tanë, që të reagojnë. Në çdo vend tjetër, pas një procesi të tillë si ai i 11 majit, protestat do të ishin të pandalshme. Por çfarë po ndodh? Ne kemi fenomene të tjera sociale që kanë ndodhur në vendin tonë. Qytetari im ndihet i mundur. Shoqëria jonë ndihet e mundur nga partia shtet. Këtu është përgjegjësia e opozitës”

