“Dukej si ëndërr e keqe, shihja vetëm shkatërrim dhe rrënoja”

schedule12:21 - 4 Dhjetor, 2019

schedule 12:21 - 4 Dhjetor, 2019

Momente makthi! Arbër Çyrbja dhe familja e tij kanë përjetuar tmerr pas tërmetit të 26 nëntorit. Mesfushori anësor i Teutës rrëfen gjithçka ndodhi, reagimin e tij dhe situatën jashtë shtëpisë së tij.  “Çfarë të them, kemi përjetuar tmerr. Por, duhet thënë shyqyr që jemi mirë si familje”, nis rrëfimin e tij Çyrbja.

Më tej ai shton: “Shpresoj që instancat përkatëse të na gjejnë një zgjidhje, sepse bëhet fjalë për shtëpinë ku fusim kokën. Nuk di ç’të them, s’jemi në terezi. Atë mbrëmje dola me shpejtësi pas tërmetit dhe më pas qëndrova jashtë. Duket si një ëndërr e keqe ajo që ndodhi”.

“Ajo që pamë ishte sikur të kishte rënë një bombë. Kudo kishte pluhur dhe njerëz që vraponin dhe ulërinin. Diku kam parë një pamje që nuk do ta harroj kurrë, që më tronditi. Kudo kishte shkatërrim dhe rrënoja, gjithçka që mund të dëgjoje ishin zëra dhe të qara nga njerëz që po kërkonin për familjarët e tyre”, tregon i emocionuar durrsaku, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport.

Në fund ai jep edhe një mesazh: “Në këto momente tragjike, mbështetja duhet të jetë nga të gjithë për vëllezërit dhe motrat tona që u goditën nga tërmeti katastrofik. Duhet të qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar, pasi vetëm kështu do të arrijmë që ta kalojmë ketë momente të vështirë. Zoti i bekoftë të gjithë!”. /abcnews.al