Duka: Urime Shkëndijë, dëshmoni si me punë e sakrificë arrihen majat

schedule20:11 - 16 Maj, 2021

schedule 20:11 - 16 Maj, 2021

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka qenë ditën e sotme në Tetovë, ku mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të trofeut të kampionit për Shkëndijën e Tetovës. I ftuar nga Presidenti i Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut, Muamed Sejdini, Presidenti Duka ndoqi ndeshjen e javës së fundit të kampionatit Shkëndija Tetovës-Shkupi, pas të cilës kuqezinjtë e Tetovës morën kupën e  titullit të katërt kampion.

Presidenti Duka, përmes një statusi në rrjetet sociale është shprehur i lumtur që ka qenë pjesë e kësaj ceremonie, teksa thekson se ndihet i gëzuar për rritjen e vazhdueshme që po shfaq futbolli në Maqedoninë e Veriut si dhe për suksesin e trajnerit shqiptar të formuar në Shkollën e Trajnerëve të FSHF-së, Ernest Gjoka. Më poshtë statusi i presidentit Duka:

“Kënaqësi e veçantë të merrja pjesë sot në ceremoninë e kurorëzimit të KF Shkëndijës së Tetovës si kampione e Maqedonisë së Veriut. I katërti titull kampion në histori për klubin shqiptar, që po krijon një traditë të shkëlqyer, duke u kthyer në një shembull se si duhet të funksionojë një klub futbolli. Dëshmia më e mirë se me punë dhe sakrificë mund të arrihen majat.

 

I shpreha urimet e mia të përzemërta presidentit të KF Shkëndijës, Lazim Destani, drejtuesve dhe stafit teknik të klubit tetovar për këtë sezon që u mbyll me këtë arritje fantastike. Shpresoj që të vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe të kontribuojnë për zhvillimin e futbollit, siç kanë bërë deri më sot.

Shumë i gëzuar dhe për rritjen e vazhdueshme që po shfaq futbolli në Maqedoninë e Veriut nën drejtimin e mikut tim Muamed Sejdini, që u kurorëzua me kualifikimin në Kampionat Europian.

I lumtur edhe për suksesin e trajnerit të KF Shkëndijës, Ernest Gjokën, i cili është një produkt i shkollës së trajnerëve të FSHF-së. Gjë që tregon se trajnerët e formuar dhe të licencuar nga FSHF janë të denjë për të drejtuar çdo skuadër, në çdo vend.

Emocion i veçantë për mua ishte dhe ritakimi me tifozët e zjarrtë të Shkëndijës, Ballistët, që as sot nuk munguan në festën e madhe të skuadrës së tyre të zemrës, të cilën e kanë mbështetur kudo. Edhe ata kanë një meritë të madhe në këtë arritje, edhe se pandemia nuk i mundësoi këtë sezon të tregonin nëpër stadiume dashurinë ndaj ngjyrave kuqezi.

Pas festës së titullit kampion nuk ka kohë për të humbur, pasi KF Shkëndija duhet të nisë nga puna për t’u përfaqësuar sa më denjësisht në Champions League, e për të bërë krenarë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Uroj që klubi tetovar të shijojë sa më shumë suksese në arenën ndërkombëtare, ashtu siç ka bërë në këto vite të fundit”. / fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!