Christian Panucci ka kohë të paktën deri në ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kombeve në Izrael. Presidenti i Federatës, Armand Duka, i del në krah trajnerit të kombëtares, edhe pse shprehet i pakënaqur me paraqitjet e deritanishme.
Goditjet kanë qenë radhazi.
Tepër të forta edhe për një njeri që di t’i përmbajë emocionet, si presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që padyshim nuk është ndier aspak mirë me 4 humbjet e kombëtares në 4 ndeshjet e fundit.
Gjithsesi, ai ka vendosur të presë dhe t’i japë kohë trajnerit Kristian Panuçi, duke dalë me deklaratë zyrtare në profilin e tij në Facebook.
“Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Patëm mundësitë tona por nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe difektet, që jam i bindur se trajneri i ka pikë referimi.
Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër.
Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat jane normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt”.
Ky qëndrim i presidentit ishte i pritshëm dhe u lajmërua një ditë më parë nga ABC News, pas informacionit të marrë nga burime të besueshme në Federatë.
Duka i ka qëndruar shumë pranë Panucci-t dhe kombëtares, duke e vizituar shpesh në seancat stërvitore, dhe duke i dalë në krah vazhdimisht, përkundër kritikave të shpeshta.
Fillimi i italianit me ekipin përfaqësues u duk pozitiv, me rezultate ndaj Lihtenshtajnit e Maqedonisë, lojra të mira ndaj Spanjës e Italisë, dhe me fitore në Turqi.
Gjithsesi, viti 2018 ka qenë negativ në çdo aspekt, me përjashtim të fitores ndaj Izraelit për Ligën e Kombeve.
Duka vazhdimisht është mburrur se ka gabuar vetëm një herë me trajnerët e kombëtares, me holandezin Arie Hahn.
Nuk dihet nëse po mendon se ky me Panuçin mund të jetë gabimi i tij i dytë./abcnews.al