TVSH-ja 6% për sportin ishte tema e radhës të cilën presidenti i FSHF-së, Armand Duka, preku në fjalën e tij në studion e Pressing, përballë moderatorit Gerti Çarçani. Një krahasim me bujqësinë, sektor që e ka 6% TVSH-në, ndërsa futbolli me 20%, sipas Dukës nuk duhet të jetë kaq i lartë, por të bëhet aq sa bujqësia ose sektorë të tjerë, edhe pse sporti nuk është aq jetik. Mes të tjerash, kreu i Federatës Shqiptare të Shqipërisë tha:
Presidentët e kanë pasur merakun që kjo do bëhej politike. Por po të shikoni sloganin, etiketohen qeveritë dhe jo qeveria. Shqipëria nuk shpik rrotën. Le të kopjojmë botën, të shohim si e kanë ndërtuar atë shtratin e zhvillimit të futbollit. Nuk jam për bojkot. Po të shohësh të gjitha zhvillimet, u jepet e drejtë klubeve. Ka kaluar shumë kohë dhe nuk u bë asgjë.
Nëse i kapim pikat një e nga një e t’i krahasojmë me ato në tavolinë, janë po ato. Vetë kryeministri tha le ta ndalojmë 5, 7 apo 10 vite tatimin për futbollistit. U bë vetëm dy vite, as minimalen jo. Ai tha që të hiqet edhe tatim-fitimi, por liga nuk e kërkon. Duhet një ligj i ri sponsorizimi dhe jemi gati të flasim. Nuk dua që të jemi antagonistë.
Ky është qëndrimi ynë, jam gjithmonë i mendimit që duhet t’i zgjidhim. Kemi zgjidhur shumë çështje më parë dhe do i zgjidhim edhe këto. Vetë personalisht më ka premtuar që do i zgjidhim, që futbolli të ketë frymëmarrje. Pas takimit në mars kemi bërë takime me Ministren e Financave, me Kryetarin e Komisionit. Nuk kam arritur t’i bind për ndryshimet, ato kanë argumentet e tyre.
Normalisht kërkohet diçka nga buxheti që ky sport të ecë përpara. Thonë që TVSH të bëhet 6 për qind dhe ka komente, që thonë pse kaq është shumë i rëndësishëm sporti. Nuk është më i rëndësishëm se bujqësia, që është jetike. Për bujqësinë jepen edhe donacione. Nuk po kërkojmë donacione.
Le të bëhet 6% dhe do ketë impakt të vogël në buxhetin e sportit. Duhet gjetur një balancë që të mos ketë më pas fatura që nuk duhet. Edhe futbolli ka nevojë për ndihmë. Për faturat duhet të japin 6%. Pastaj për infrastrukturën për mua duhet të jetë zero. Për donacionet janë zero, por duhen përjashtuar edhe kur investimet bëhen nga vetë klubet”, u shpreh Duka./abcnews.al