Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, foli sot në ceremoninë para fillimit të sfidës mes Shqipërisë dhe Francës, në një ceremoni ku mori medalje presidenti i UEFA-s, Ceferin. Duka gjeti mundësinë të fliste për këtë ditë të shënuar, për hapjen e stadiumit të ri, si dhe i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të UEFA-s, Ceferin, që të mbështesin dhe financojnë projektin “100 Fushat”.
“Kjo është një festë për të gjithë shqiptarët, sepse e duan futbollin. Dua të falënderoj presidentin e UEFA-s, për kontributin financiar. Dua të falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, për ndërtimin e këtij stadiumi. Dua të falënderoj arkitektin italian, Marko Kasamonti.
Do doja të falënderoja edhe ato pak, që nuk janë në këtë ceremoni sonte. Të cilët, nuk pranuan të vijnë në një stadium me kullë, apo pa kullë. Jam i sigurt që do e ndjekin këtë ndeshje nga televizioni dhe pas këtij 90 minutëshi, do të binden që kjo është vepra më e mirë që ka bërë ndonjëherë Shqipëria.
Dua të kërkoj nga kryeministri, që të mbështesë e financojë programin e FSHF-së për 100 fushat. Marr guximin të kërkoj edhe nga presidenti i UEFA-s, të lobojë bashkë me ne për të organizuar një finale të rëndësishme europiane në këtë stadium në 3 vitet e ardhshme”, tha Duka./abcnews.al