Edvin Murati, ish-lojtar i PSG, i cili ka luajtur për vite të tëra me kombëtaren e Shqipërisë, tashmë bën rolin e menaxherit. Lusha, sikurse i thërrasin me përkëdheli, tregon për situatën e vështirë në Francë në lidhjen e bërë me “Fan Zone” në Supersport. “Gjendja është e vështirë, të themi të drejtën. Mbrëmë foli presidenti Macron dhe u tha se do vazhdojë deri me 11 maj karantina.
Është e vështirë për njerëzit. Ka 14 mijë të vdekur. Njerëzit dalin nga pak. Për futbollin është e vështirë, pasi këtu janë të lidhura shumë gjëra me të. Desha të falënderoj Andi Lilën, që po ndihmon futbollistët atje. Kemi një takim me presidentin e sindikatës këtu dhe shpresojmë të bëjmë diçka”, tregon Murati, i cili edhe po ndihmon në anëtarësimin e SFPSH në FIFPro.
TAKIMI ME GREQINË – “Janë kujtime të bukura. Sigurisht Greqia ishte kampione Europe. Atëherë unë luaja në Greqi dhe janë momente të veçanta që kur i sheh, ndihesh krenar. Ishim një ekip shumë i mirë atëherë, kishim 6-7 vite që luanim bashkë. Kemi qenë mirë, por më i miri ngelet ai që shkoi në Europian”.
Ka shumë ndeshje, me Greqinë, me Zvicrën kur shënova, me Anglinë, apo me Gjermaninë. Kemi pasur shumë ndeshje të bukura, por më e veçanta mbetet ajo me Greqinë.
PSG DHE PSEUDONIMI – “Maradona i Ballkanit? Në Greqi, kur luaja, më thërrisnin. Tifozët e Iraklis, pasi isha mirë teknikisht”, tregon “Lusha”, i cili më pas flet edhe për skuadrën e tij më të dashur. “PSG është ekipi im i zemrës. Kur erdha këtu, ishte ekipi që më ndihmoi. Isha vetëm 15 vjeç dhe u jam mirënjohës. Tani banoj 200 metra larg fushës së tyre të stërvitjes. I ndjek dhe do jem përherë me ta”.
TRAJNER FRANCEZ – “Posti i trajnerit është politiko-sportiv. I kam propozuar francezë, por ai ka prioritet italianët, për shkak se na njohin më mirë ne shqiptarë. I kam propozuar Luis Fernandez, që ka qenë në katërshe me Platini”, tregon Murati. Sa i takon Fernandez, ai ka drejtuar edhe klube si PSG, Athletic Bilbao, Espanyol dhe Real Betis.
Në fund ai u pyet edhe në lidhej me lojtarët e kombëtares që mund të luajnë në Ligue 1: “Kemi Strakoshën, që mund të luajë në Francë, apo Ismajli, tek i cili besoj shumë. Kemi edhe Baren dhe Laçin, që luan në ligën e dytë këtu në Francë”. /abcnews.al