Gjykata Administrative e Berlinit ka vendosur: Po, Gjermania duhet t’u mundësojë kthimin në shtëpi familjeve të luftëtarëve të të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, IS. Vendimi nuk ka hyrë ende në fuqi.
Me vendimin e ditës së mërkurë, Ministrisë së Jashtme gjermane i kërkohet që të përcaktojë identitetin e tre fëmijëve në një kamp refugjatësh sirianë dhe më pas të marrë nënën dhe fëmijët e saj në Gjermani, u shpreh një zëdhënës i gjykatës gjermane në Berlin.
Ministria e Jashtme mund ta apelojë vendimin e gjykatës. Por në rast të tillë duhet të vendosë Gjykata e Lartë e Berlinit. “Vendimi i marrë në procedurë të përshpejtuar e që nuk ka hyrë në fuqi ka mbërritur tek Ministria e Jashtem dhe po veifikohet”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.
Ministria e Jashtme
Kërcënim për fëmijët
Në vendimin e gjykatës administrative thuhet, se nëna nga landi i Saksonisë së Poshtme dhe fëmijët e saj mund t’i referohen detyrimit të shtetit për të ofruar mbrojtje, i sanksionuar ky në kushtetutë. Gjendja në kamp është një kërcënim për jetën e fëmijëve. Ata kërcënohen nga “pasoja të rënda, të padurueshme dhe të pamundura për t’u mënjanuar”, nëse qëndrojnë në kamp, thuhet në vendimin e gjykatësve.
Televizionet NDR, WDR e “Süddeutsche Zeitung” raportuan që të mërkurën për vendimin e gjykatës. Sipas raportimit të këtyre mediave, fëmijët janë 8, 7 dhe afër dy vjeç. Ministria e Jashtme kishte argumentuar, se nuk shihte asnjë detyrim për të ndihmuar edhe nënën të kthehej nga Siria. Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer ka deklaruar, se edhe fëmijët e të rinjtë përdoren për luftën e IS-it. Qeveria gjermane duhet të jetë për këtë arsye e kujdesshme në pranimin e pjesëtarëve të familjeve të tyre. Kjo edhe për arsye, sepse ka paqartësi në çështjet e nënshtetësisë.
Sipas mediave në kampet kurde në Siri ndodhen shumë luftëtarë gjermanë të IS-it gratë dhe fëmijët e tyre./DW