“Duhet opozitë e aftë të fitojë zgjedhjet”, Yuri Kim: Shpresoj që PD të përfaqësojë sërish të ardhmen

schedule21:50 - 19 Janar, 2023

schedule 21:50 - 19 Janar, 2023

Ambasadorja Yuri Kim në intervistën me gazetarin Sokol Balla në “Real Story” ka komentuar edhe situatën ku ndodhet aktualisht Partia Demokratike dhe opozita në tërësi.

Ndër të tjera Kim tha se të gjithë e dimë se në një demokraci opozita është shumë e rëndësishme. Më pas ajo shtoi se vendi ka nevojë për opozitë që është aftë të fitojë zgjedhjet.

“Duhet të keni opozitë të vërtetë që jo vetëm ka ide dhe udhëheqësi, por që në fakt është e aftë të fitojë zgjedhje,” u shpreh Kim.

Pjesë nga intervista :

Sokol Balla: Po kur ke një nga dy partitë kryesore politike në trazim dhe të qenit në duart e së shkuarës…

Ambasadorja Yuri Kim: Ky është një vendim që partia dhe mbështetësit e saj, dhe në fund votuesit shqiptarë, duhet të marrin. Nuk mund t’i marrim ne vendimet për ta. Ne e kemi bërë shpalljen (non-grata) në përputhje me interesin tonë kombëtar. Populli shqiptar, udhëheqësit shqiptarë duhet të marrin vendimin e tyre bazuar në atë që është në interesin kombëtar të Shqipërisë. Kemi opinionin tonë dhe e kemi ofruar atë, i cili është që duhet të ecni përpara. Një nga gjërat për të cilat mendoj se të gjithë biem në një mendje është që në një demokraci, roli i opozitës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duhet të keni opozitë të vërtetë që jo vetëm ka ide dhe udhëheqësi, por që në fakt është e aftë të fitojë zgjedhje. Kështu që, anëtarët e Partisë Demokratike duhet të mendojnë për këtë pyetje dhe do duhet të marrin vendimin e tyre.

Ne besojmë, si Shtetet e Bashkuara, që kemi një marrëdhënie shumë të veçantë me Partinë Demokratike. Kemi qenë aty që nga lindja e saj. E vetmja kohë kur ambasadori amerikan ka “ndërhyrë” në punët e brendshme, në politikën e brendshme ishte në 1990-91, ndjesë, 1992, kur paraardhësi im, Ambasadori Rajerson, në fakt bëri fushatë me Partinë Demokratike, me udhëheqësit e saj.

Sokol Balla: I keni dhënë emrin e tij rezidencës tuaj.

Ambasadorja Yuri Kim: … dhe që iu thoshte njerëzve të vototnin për Partinë Demokratike sepse ata përfaqësojnë të ardhmen. Shpresa jonë është që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen, do të jetë përsëri forca që do të jetë e aftë ta tërheqë Shqipërinë përpara, ta drejtojë përpara, jo pas.

Sokol Balla: Kjo është diçka e bukur, në fakt, dhe unë e besoj plotësisht. Por ka disa njerëz që nuk e besojnë. Dhe ironikisht, janë njerëz brenda Partisë Demokratike. Ju përmendët që ndërhyrja e vetme, në kuptimin e parë të fjalës, në politikën e brendshme nga ambasadori amerikan ka qenë në 1991-91 me Z. Rajerson. Sigurisht të gjithë ambasadorët e SHBA kanë luajtur një rol të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm, parësor, në Shqipëri. Dhe kjo ju përfshin edhe ju dhe praninë tuaj këtu. Disa thonë se në fakt ju keni ndërhyrë më shumë se duhet në politikën këtu. Personalisht, më ka pëlqyer. Disa të tjerë, jo. A e pranoni se ndoshta keni thënë ose bërë diçka që kapërceu detyrat tuaja si ambasadore amerikane këtu? Diçka që do ta korrigjoni në fazën tjetër të karrierës tuaj?

Ambasadorja Yuri Kim: Shiko, puna ime është të shërbej si përfaqësuesja personale e Presidentit Amerikan dhe, në këtë cilësi, të zbatoj dhe çoj përpara politikën e jashtme të SHBA kur vjen fjala te Shqipëria. Dhe, kur vjen fjala te Shqipëria, fokusi ynë është tek forcimi i institucioneve demokratike, tek krijimi i një situate ku më shumë biznese amerikane të mund të  investojnë në Shqipëri sepse është diçka e mirë për ne dhe është e mirë për ju. Dhe të zhvillojmë një marrëdhënie që na lejon si partnerë të jemi kontribues neto në sigurinë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe për rajonin, dhe tani, si anëtarë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për botën. Këtu është fokusi ynë. Tani, ndonjëherë njerëzit bëjnë akuza bazuar në faktin nëse iku pëlqen ajo që Shtetet e Bashkuara bëjnë apo nuk iu pëlqen ajo që Shtetet e Bashkuara bëjnë. Nëse iu pëlqen, është kontribut, nëse nuk iu pëlqen, është ndërhyrje. Por në fund të ditës, për ne, nuk është asnjëra nga këto. Jemi thjesht duke bërë punën. Unë po bëj punën time./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!