Sekretari për çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, deklaroi këtë të martë se në krye të Bashkisë së Vorës po qëndron një person që duhet të ishte në burg për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Sipas Gjatës, Agim Kajmaku vazhdon të jetë në krye të detyrës me mbrojtjen e kryeministrit Rama, megjithëse çdo akuzë e bërë nga PD dy muajt e fundit u vërtetua nga prokuroria.
Gjata deklaroi se Edi Rama e ka lidhur fatin e tij politik me krimin, prandaj nuk zbaton Kushtetutën për të shkarkuar kryetarin e tij të Bashkisë Vorë, të kapur në shkelje të rëndë të ligjit të dekriminalizimit.
Deklarata e plotë:
Prej 24 orësh në krye të Bashkisë së Vorës po qëndron një person, i cili duhet të ishte në burg për fallsifikim të Formularit të Dekriminalizimit. Agim Kajmaku vazhdon të jetë në detyrën e kryebashkiakut me mbrojtjen e Edi Ramës, megjithëse prokuroria vërtetoi çdo akuzë të bërë nga Partia Demokratike dy muajt e fundit.
Agim Kajmaku gënjeu qytetarët shqiptarë dhe votuesit e Bashkisë së Vorës për të kaluarën e tij kriminale në Greqi. E vërteta, siç u provua nga prokuroria, është se Edi Rama kandidoi në 30 Qershor një të arratisur nga drejtësia, me urdhër kërkimi në Greqi dhe në Europë deri 6 javë më parë.
Përpjekja e Edi Ramës për të mbrojtur një zyrtar të lartë që ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ligjin nuk ka mbaruar. Agim Kajmaku qëndron në detyrë dhe akoma nuk është shkarkuar nga Edi Rama, njeriu që i dha mbështetje politike, duke e kandiduar për Bashkinë e Vorës.
Ligji i dekriminalizimit shprehet fare qartë se një funksionuar i lartë publik, i cili kapet në fallsifikim të formularit të dekriminalizimit, humbet mandatin dhe dënohet deri në 4 vjet burg.
Sjellja e Edi Ramës në mbrojtje të kriminelëve që përfshiu në politikë, nuk është e papritur. Edi Rama e ka lidhur fatin e tij politik me krimin, prandaj nuk zbaton Kushtetutën për të shkarkuar kryetarin e tij të Bashkisë Vorë, të kapur në shkelje të rëndë të ligjit të dekriminalizimit.
Bashkëqeverisja e tij me krimin dhe më të fortët që blejnë vota për të, pa u dënuar nga drejtësia, është arsyeja pse dera e Europës vazhdon të qëndrojë e mbyllur për Shqipërinë.
Sjellja me rastin e Agim Kajmakut, duke e mbrojtur, edhe pas verifikimit zyrtar të Prokurorisë, është tregues se Edi Rama nuk ka ndërmend të marrë seriozisht as kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman, ku zbatimi i ligjit, lufta kundër krimit, ndëshkimi i zyrtarëve të lartë dhe i kujtdo që ka vjedhur zgjedhjet janë rruga për të çuar Shqipërinë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Agim Kajmaku dhe Edi Rama nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri. Ata e sfidojnë shtetin ligjor, gënjejnë qytetarët në mënyrë të paturpshme dhe përdorin çdo mjet për të qëndruar në pushtet kundër interesit publik./abcnews.al