E meriton epitetin e tmerrshëm që ka.
Bajerni është me të vërtetë “macja e zezë” e Barcelonës, apo siç e thonë në Spanjë, “bisha e zezë”, pasi i ka ardhur hakut kaq shumë herë në Europë.
Dy ekipet gjigande të kontinentit ndeshen sonte në Champions, në orën 21:00 në formatin e ri të fazës së grupeve, dhe bavarezët kanë 10 fitore e vetëm dy humbje ndaj katalanasve.
Golat janë 33-13, a thua se bëhet fjalë për nivele të skajshme, dhe jo për dy ekipet që e kanë fituar përkatësisht 5 e 6 herë Ligën e Kampionëve.
Kjo edhe pse kualifikimet janë nga dy për secilin ekip, ndonëse sot nuk luhet me eliminim direkt.
Katalanasit, gjithsesi, janë disi më të qetë sepse kanë bërë një nisje më të mirë të sezonit, duke kryesuar La Ligën, edhe pse janë rrëzuar një herë në Europë.
Barça ka shumë mungesa si portierin Ter Shtegen, Arauhon, Ferran Torresin, Kristensenin dhe Bernalin, ndërsa Erik Garsia është në dyshim.
Në stol është ish-trajneri I Bajernit, Hansi Flik, që pati suksese të mëdha me bavarezët, dhe që ngacmohet për të kaluarën dhe bilancin.
“E shkuara nuk vlen. E rëndësishme është e sotmja. E kaluara ka të bëjë me kujtimet e mia që mbeten të shkëlqyera. Ne duhet ta ndryshojmë të kaluarën. Ne duhet të përgatitemi sa më mirë për këtë ndeshje, dhe duhet të bëjmë çmos që ta mundim Bajernin”.
“El Mundo Deportivo” titullon: “Mesazh I Flikut, Barça përballet me “macen e saj të zezë”, në një moment ideal që më në fund të fitojë duelin e titanëve!”
Ja edhe “Sport”: Finalja e parë e madhe! Pas fillimit të shkëlqyer të sezonit, Barcelona përballet me Bajernin, rivalin e parë të madh që mund të ndalojë serinë azulgrane!”
Bajerni është pak a shumë në pozitat e katalanasve.
Bavarezët kanë një fitore dhe një humbje në Champions, ndërsa kryesojnë Bundesligën.
Trajneri I ri Vinsent Kompani mrekullohet nga Lamin Jamal.
“Ky është një moment shumë I rëndësishëm për ne. Do të jemi përballë një rivali të madh, I cili është në formë shumë të mirë. Hansi Flik po punon shkëlqyeshëm dhe Barça ka lojtarë të mëdhenj. Lamin Jamal është I jashtëzakonshëm dhe është fat që erdhi kaq shpejt pas largimit të Mesit. Gjithsesi, ne nuk mendojmë vetëm për Jamalin, por për gjithë Barcelonën”.
Bajerni ka shumë pak mungesa, si Pavlovic apo Stanishiç, ndërsa Musiala mbetet në dyshim./abcnews.al