Manchester United fitoi 0-2 derbin kundër Manchester City në fundjavë dhe shkon me moral të lartë në përballjen e Europa League kundër Milanit. Sfida e parë e raundit të 1/8-ve do të luhet në “Old Trafford” të enjten, duke nisur prej orës 18:55.
Mbrojtësi i “Djajve të Kuq”, Harry Maguire zbulon simpatinë e tij për ekipin e famshëm italian dhe vlerëson shumë djemtë e Stefano Piolit. “E ndiqja shumë Milanin kur isha i vogël, ata ishin një skuadër e shkëlqyer.
San Siro është një stadium legjendar dhe u gëzuam shumë kur morëm vesh shortin. Do të jetë një përballje e vështirë dhe tepër emocionuese kundër Milanit. E dimë që ata janë një skuadër e fortë: këtë sezon po paraqiten shumë mirë në Serie A.
United? Ne jemi përmirësuar shumë. Unë erdha këty para dy vitesh, njerëzit nuk besonin se do të arrinim të renditeshim në katër vendet e para, por ia dolëm. E njëjta gjë edhe për këtë sezon, por ja ku jemi në vend të dytë.
Mentaliteti ynë ka ndryshuar, tani jemi më të qëndrueshëm si skuadër. Padyshim që eliminimi nga Champions ishte i dhimbshëm, por ndodhemi në pozita të mirë në kampionat“, deklaroi kapiteni i Manchester United. /abcnews.al

