Autoritetet e Dubait lirojnë nga qelia Plaurent Dervishajn të arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar në kuadër të operacionit “Asgjë nuk harrohet”. Burime bëjnë me dije për ABC se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë refuzuar ekstradimin e Dervishajt në përgjigje të shkresës së dërguar nga autoritetet vendase.
ABC ka siguruar dokumentin që ministria e Drejtësisë i ka dërguar autoriteteve në Dubai në lidhje me ekstradimin e Dervishajt 11 ditë pas arrestimit të këtij të fundit ku parashtrohen edhe veprat penale për të cilat ai akuzohet. Katër ditë më vonë në lidhje me këtë kërkesë është vënë në dijeni edhe Ministria e Brendshme, si dhe SPAK.
Lul Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taullau dhe Luftar Reci akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2005 dhe biznesmenit Vajdin Lamaj.
Si ndodhën ngjarjet
Luftar Reçi, bashkëpunëtori i drejtësisë për zbardhjen e vrasjes së Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ka deklaruar se ditën që ka gjetur minën që është përdorur për eliminimin e Lamajt me porosi të Lulzim Berishës, e ka telefonuar këtë të fundit për t’i thënë se e kishte kryer porosinë. Sipas tij Lulzim Berisha i ka thënë se do të vijë një mik i tij për ta marrë dhe në atë moment është shfaqur një automjet “Mitsubishi Pajero” policie me sirenë sipër dhe me katër porta.
Montimi i bombës më pas është bërë në shtëpinë e motrës së Lulzim Berishës ku më pas Indrit Taullai ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit. Pasi ka mësuar vrasjen e Vajdin Lamajt, Luftar Reçi, bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se ka telefonuar Shullazin por ai i ka thënë se ndodhet në Turqi. Reçi ka rrëfyer edhe bisedën që ka pasur me Viktor Ymerin në burgun e Peqinit ku ky i fundit i ka thënë se njeriun për ta vënë bombën e ka gjetur ai pasi Shullazi dhe shokët e tij dinë vetëm të hapen me vajza të bukura dhe makina.
Në datë 26.02.2005 rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj, Saliu u qëllua me armë zjarri, teksa ishte duke udhëtuar me makinën tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C.
Reçi ka treguar hap pas hapi çfarë ka ndodhur ditën e ekzekutimit të Klodian Saliut. Ai thotë se ka qenë Indrit Taullai ai që ka qëlluar viktimën me tre plumba pistolete dhe ka paralajmëruar pasagjerin Osman Truma, që ishte me të se nëse do të jetojë duhet të mbyllë gojën për atë që ka parë.
Përplasjet brenda bandës së Durrësit
Vepra e parë kriminale e bandës ishte vrasja e Dritan Sallakut më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Në krye të saj akuzohet se qëndronte Lul Berisha dhe Klodian Saliu.
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata u nda në dy të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata u kthyen në rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.
Pas përplasjeve të brendshme, SPAK akuzon Lul Berishën dhe pjesën tjetër të anëtarëve të bandës se organizuan atentatin për vrasjen e Klodian Saliut më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit/mv.abcnews.al