“Topçinjve”, të Arsenal u mjaftoi vetëm pjesa e parë, mbrëmjen e së mërkurës për të siguruar tri pikët përballë “Kapelebërësve” të Luton Town, me djemtë e teknikut, Mikel Arteta, që triumfuan me rezultatin e pastër, 2 me 0, në “Emirates Stadium”, duke u ngjitur kështu në vendin e parë, të tabelës, së Premier League, me një pikë më shumë se “Të Kuqtë” e Liverpool.
Për mediat, pas ndeshjes, një koment të shkurtër e bëri edhe tekniku, Mikel Arteta, i cili në fillim të fjalës së tij “thuri” elozhe për djemtë e tij, por edhe për kundërshtarët, teksa më tej u shpreh qartë që objektivi i madh është fitimi i titullit kampion, të cilit “Topçinjtë” i shkuan shumë pranë edhe edicionin e kaluar dhe që mungon, në “Emirates”, që prej vitit 2004.
“Luton është realisht një skuadër e mirë, nuk është e lehtë të përballesh me ta. Unë i studioj të gjithë kundërshtarët. Dhe ata janë të fortë. U uroj më të mirën në vazhdim. Shënuam dy herë, fituam dhe mbajtëm portën të paprekur. Edhe ata që erdhën nga stoli luajtën shumë mirë. Të gjithë dhanë kontributin e tyre në këtë fitore.
Në pjesën e dytë e ulëm ritmin dhe menaxhuam disi energjitë. Pasi ndeshja e radhës është shumë afër. Do të përballemi me Brighton në transfertë të shtunën. Ne duam të jemi në krye të renditjes, por e vetmja gjë që mund të bëjmë është të fitojmë ndeshjet tona”, deklaroi trajneri spanjoll i skuadrës londineze. /i.m /abcnews.al