Mund të quhet më plot gojë supersfida e mbrëmjes së kësaj të enjteje, ku në lojë është kualifikimi historik, për në fazën me eleminim direkt, të një kompeticioni evropian. Bëhet fjalë për Ballkanin e Ilir Dajës, me “Dardanët” e Suharekës, që do të udhëtojnë drejt Zagrebit, për t’u përballur në “Stadion Maksimir” me Dinamon vendase.
Siç e do zakoni, para sfidës u zhvillua edhe konferenca për shtyp, në prag të sfidës, nga ku tekniku i Dinamo Zagreb, Sergej Jakirovic theksoi se skuadra e tij do të futet në fushë për të fituar, pavarësisht faktit që e vlerëson Ballkanin, si dhe duke risjellë në kujtesë, humbjen 2 me 0, në “Fadil Vokrri”, një muaj më parë.
“Na pret një ndeshje e rëndësishme dhe vendimtarë përballë Ballkanit. Është një ‘finale’ sa i përket kualifikimit. Pres që skuadra ime të zhvillojë një ndeshje serioze dhe shumë të mirë në aspektin taktik. Sigurisht që kualifikohemi edhe me barazim, por ne nuk do të futemi në fushë për një pikë.
Do e kërkojmë fitoren prej minutës së parë, kam besim se do arrijmë këtë objektiv dhe do të kualifikohemi. Duhet ta nisim fort, të mos mendojmë për llogari. Luajmë përpara tifozëve tanë, kështu që duam të gjejmë golin e parë sa më shpejt. Në mënyrë që ta kemi më të lehte pastaj kontrollin e lojës.
Humbja në Prishtinë? Nuk e nënvlerësuam Ballkanin në ndeshjen e parë, por kishim shumë mungesa. Ballkanin e njohim mirë, kemi analizuar edhe takimin e tyre të fundit. Ata kanë luajtur mirë gjatë gjithë sezonit, ndërkohë që në ndeshjen e fundit gabuan. Gjithsesi, ne duhet të jemi seriozë kundër tyre, dhe duhet të gabojmë sa më pak”,- u shpreh boshnjaku i pankinës. /i.m /abcnews.al