Lorela Lombardo është një tjetër emër shqiptar që ka spikatur në Itali me talentin e saj. Vajza me origjinë shqiptare është një ndër personazhet më të rinj të ekranit italian dhe po ngjitet me hapa të sigurtë drejt suksesit. Në një intervistë për moderatorin Alban Musa në “Abc-ja e mëngjesit”, Lorela tregoi se pavarësisht se është paragjykuar ka arritur të ndjekë ëndrrën e saj.
“Më pëlqen shumë ushqimi. Kam një dobësi për qoftet, i adhuroj. Më pëlqejnë njerëzit, deti, aromat, shijet dhe çdo herë zbuloj origjinën time. Paragjykimet janë gjithmonë, të paevitueshme por janë të pakta sa arrin t’i kalosh lehtë sidomos kur je kaq shumë krenare për origjinën tënde. Nuk ka qenë problem, komentet e papërshtatshme i kam lënë mënjanë. Më tepër, kur kishte paragjykim, unë thoja po, unë jam shqiptare.”, tha ajo.
Mes të tjerash, Lorella tregoi se si është njohur me Alketa Vejsiun. Ajo bëri të mundur që Alketa të merrte pjesë në Sanremo. “Me personalitetin dhe aftësinë e saj, Alketa është 360 e kompletuar. E meritonte dhe publiku e vlerësoi pjesëmarrjen e saj për shkëlqimin, bëri një monolog të shkëlqyer që falenderonte Italinë për mbështetjen ndaj Shqipërisë.”, tha ajo duke shtuar se do të kishte shumë dëshirë për të realizuar një projekt me të.
/abcnews.al