Nga emisioni VETTING:
“E kam pirë në fillim ma kanë sugjeruar disa shokë pastaj jam marrë me shpërndarje me gjëra. E porosisin të tjerët dhe transportin. E mbaj mend shumë turbullt në lagje me çunat se dija ca ishte, më pëlqeu edhe e kam pirë vazhdimisht pastaj. Më thanë shokët që është kënaqësi, pije se të bën mirë edhe kështu gjërash. Gjithmonë kam pirë vetëm hashash, me të jam marrë. Ma kanë shpjeguar si një super adrenalinë, më kanë thënë të bën mirë nuk të dëmton. Më pas vazhduan duke u shtuar dozat edhe nuk na dilnin lekët, pastaj edhe filluam duke e shitur dhe duke gjetur shoqëri, duke ja shitur shokëve edhe të huajve ju kemi shitur shumë, ku të gjenim pastaj”.
Nuk është kjo rruga e jeta që do të donte ky 20-vjeçar e aq më pak ajo që do familja për të ardhmen e tij. Prindërit nuk e dinë se ai është konsumator dhe shpërndarës hashashi, ndërsa mësuesit e dinë. 20-vjeçari shprehet se babai i tij nuk e di që ai është konsumator hashashi, pasi është gjithë kohës në punë: “Kam shkuar shumë herë në klasë me hashash edhe e kam pirë tek cepi i shkollës. Ka pasur raste që na kanë kapur mësuesit, policia më rrallë por mësuesit shumë herë. Na kanë thënë që mos e pini, por tani ne jemi në botën tonë. Raportin me familjen e kam normal, babi shkon në punë edhe mami, motra shkon në shkollë ndërsa unë rri rrugëve. Marrëdhëniet i kemi të mira, familja nuk e di se unë bëj këtë gjë as nuk ka për ta marrë vesh ndonjëherë, mami më ka zënë bishta cigaresh por i kemi sqaruar gjërat, ndërsa babi nuk e di sepse në rast se babi do e merrte vesh ne marrim fund, as punë as asgjë më mbyll në shtëpi”.
Kështu nis rruga e krimit për shumicën e të rinjve që janë tashmë kontigjent i grupeve kriminale nëpër rrugët e Shqipërisë dhe përtej kufijve të saj.
Sipas gazetarit Artan Hoxha rastet e të rinjve të përfshirë në organizatat kriminale janë të shumta: “Rastet janë jo me dhjetëra apo me qindra por me mijëra të rinjve që e kanë nisur nga një rrethanë e caktuar, nga një njohje e gabuar apo nga një miqësi e gabuar, nga një ngjarje e padëshiruar jetën e tyre dhe padashur jeta e tyre ka marrë një drejtim të caktuar dhe pastaj nuk kanë pasur më mundësin ta kthejnë”.
I riu thotë se ka nisur të jetë konsumator dhe shpërndarës i hashashit që në moshën 14-vjeçare, në fillim e ka nisur me doza të vogla dhe më pas ka nisur ta rrisë sasinë e konsumit: “Unë kam lindur në vitin 2002 dhe jam 20 vjeç. Të gjitha kanë ardhur avash-avash, ka 5-6 vite besoj ose më shumë, i bie nga mosha 14-15 vjeç. Si fillim pinim nga 2 cigare në fillim pastaj duke u shtuar më shumë, nga 4-5. Sot me një qese që shitet 6 mijë lekë, 5 mijë lekë unë ja dorëzoj atij dhe 1 mijë lekë i mbaj për vete, varet pastaj në katër qese e pesta është për mua, si pjesë e përfitimit. Për pjesën e sugjerimit shkon si zinxhir mua ma ka sugjeruar njëri unë ja sugjeroj dikujt tjetër edhe për ta shitur a kupton jo vetëm për ta pirë për qejf. Me çunat që rri dhe gjithë shoqërisë time ja kam sugjeruar edhe të gjithë e kanë pëlqyer s’ka dal dikush për të thënë që jo unë nuk e pi. Kështu bëjnë në fillim por pastaj i bën për vete”.
Siç dëshmon i riu në video, një bashkëmoshatar e ka joshur në fillim për të tymosur një cigare hashash kur ishte në moshën 14 vjeç. Më pas ia ka sugjeruar një tjetër bashkëmoshatari dhe kështu krijohet rrjeti i frikshëm i konsumatorëve të lëndëve narkotike ndër minoren. Është një kambanë alarmi që mesa duket askush nuk po e dëgjon.
Tanimë jemi në situatën e një alarmi për 2 kategori të rinjsh. Ata të rinj që përfshihen si kujdestar të bimës narkotike dhe ndjekin hap pas hapi dhe janë pjesë e një grupi,pra nuk po flas vetëm për fazën e kultivimit dhe të marrjes në kujdes të bimës narkotike, por edhe të transportit dhe më pas janë kategoria tjetër që përfshihen në shpërndarjen e drogës në qytete të caktuara përshembull në kryeqytet apo ato të rinj që përfshihen në dominancën sikurse është transporti i kanabisativës dhe i marjuanës drejt vendeve të BE-së në shtëpitë e barit”, shprehet gazetarja Anila Hoxha.
Janë të shumta historitë tragjike të të rinjve shqiptarë që përfundojnë si kontigjent krimi, qoftë si konsumator e shpërndarës pranë dyerve të shkollave, në arat e kanabisit, shpitë e barit e më pas të angazhuar në pjesën më të avancuar të botës së krimit.
Për rreth 30 vite në profesion, gazetari Artan Hoxha ka pasqyruar në media me mijëra histori por ai veçon njërën prej tyre. Është ngjarja që e ka tronditur më së shumti. Një i ri nga Vlora që as varri nuk i dihet.
“Rastet më specifike që tani më është në mediat botërore që shoh shpesh është rasti i Gramoz Rexhepit. Gramoz Rexhepi është një i ri nga fshati i Vlorës. Ka ardhur në Tiranë për të kryer studimet në Fakultetin Juridik. Praktikisht kur është arrestuar për herë të parë pranë hotel Tiranës. I akuzuar bashkë me një person tjetër në zonën e Krujës. Ai ishte student i universitetit në fakultetin juridik. U arrestua, u arratis nga burgu, u shpall në kërkim, u dënua në mungesë , shkoj në Itali ishte po ashtu në kërkim nga Interpoli. Nuk kishte rrugë tjetër jetese. Filloj me trafikim nga këtu gjatë kohës që ishte me kanabisin. U lidh me trafikantët e kokainës, u arrestua në Itali për kokainë, u arratis nga burgu në Itali pastaj shkoj në Spanjë. Shkoj në Belgjikë ,u kthye në Spanjë e arrestuan në Spanjë, e ekstraduan në Belgjik, u arratis prap nga burgu në Belgjikë. Ishte një nga njerëzit më të kërkuar në gjithë Europën dhe përfundoj në Amerikën Latine me një pasaportë mos gaboj të një personi tjetër. Pasaporta ishte e rregullt si pasaportë por identiteti ishte i falsifikuar. U kap në Ekuador në qershor të 2016 dhe na janë dashur 2 muaj që të verifikohej që personi që ishte kapur ishte pikërisht Gramoz Rexhepi ai personi shumë i kërkuar në Europë. Janë të paktën 6 shtete që kërkojnë ekstradimin e tij nga Ekuadori. Pra në 2014 pasi ai e kishte bërë gjithë trajnimin e tij, njohjet pra pasi kishte shëtitur burg në burg dhe sigurisht në burg nuk ka takuar intelektualë, inxhinierë, profesorë por ka takuar ato ‘intelektualët e botës së krimit’ profesorët, inxhinierët pra bosët e krimit. Ka krijuar lidhje që nuk i krijon dot për një ditë dhe kjo gjë ka vulosur jetën e tij dhe në Ekuador prapë u arrestua shkoj në burg me personazhe më të rëndësishme të Ekuadorit. Tashmë ka dal nga burgu edhe është zhdukur as në Ekuador nuk ka gjurmë të tij se ku ndodhet por imagjinoni jeta e një të riu në një moshë fare të re 18 vjeç, 19, 20 vjeç i cili vjen nga një fshat i Vlorës për të studiuar në fakultetin juridik dhe si ka përfunduar në personazhin të cilin mediat ndërkombëtare e cilësojnë si njeriun që themeloj Kartelin e parë shqiptarë, narkotrfiku”, tregoi për emisionin “Vetting” gazetari Artan Hoxha.
“Vetting” ka zgjedhur dy gazetarët e spikatur të kronikës për ta treguar dramën që po i ndodh Shqipërisë, përfshirjen e shumë të rinjve në radhët e botës së krimit.
Gazetarja Anila Hoxha, ka gjithashtu një histori për të veçuar po aq tronditëse, e të dhimshme dhe tragjike: “Një nga rastet që mua më ka ngelur në mendje dhe më ka goditur që u inkriminua nga një grup kriminal është rasti i një profesori, një shtetasi të quajtur Kristjan Zefi, i cili e la Shqipërinë duke u larguar nga grupet kriminale, ai nuk kishte mundësi ekonomike, nuk ja doli dot mbanë, në Shqipëri ai ishte një profesor i fiskulturës dhe sikurse se ai raportoi sikurse kur u pyet në Britaninë e Madhe ai tha se nuk mundi t’ia dilte dot mbanë me të gjitha faturat dhe për këtë arsye nisi rrugëtimin e paligjshëm edhe me plot shpresë drejt Britanisë së Madhe. Kur ai mbërriti në Britaninë e Madhe ai u rekrutua menjëherë për të qenë një nga këto skllevërit e shtëpive të hashashit, ai u kthye në një kujdestar të bimës narkotike. Kur policia britanike hyri në shtëpinë e hashashit për të kryer operacionin e radhës tentoi të largohej përmes catisë së shtëpisë, pra kishte bërë një rrugë kalimi të tillë dhe në fund ai tregoi gjithçkaa se si ishte rekrutuar. Ky është rasti tipik se si kur mungon shpresa dhe kur nuk ke asnjë mundësi në vendin tënd je i ekspozuar për tu blerë nga dhjetra grupe kriminale”.
Ka raste kur një i ri bën përpjekje maksimale për ta mundur varfërinë duke punuar hekur e beton në emigracion por nuk i reziston tundimit për të fituar para shumë e shpejt. Gazetarja Anila Hoxha tregon historinë e të riut nga Kërraba: “Sa i takon përpjekjeve të një të riu për t’ia dalë mbanë po në fund ai bie në grackë të krimit rasti tipik është ai i Enejd Shytit. Ai jetonte në Kërrabë, ishte produkt i dy prindërve të divorcuar, të dy fëmijët megjithëse ishin identik dhe binjak me njëri-tjetrin prindërit i ndanë, Enejdi jetonte me të ëmën ndërsa vëllai i tij binjak jetonte me të atin, u përpoq që t’ia dilte mbanë, të integrohej, e kishte të pamundur të punonte në Shqipëri dhe për këtë arsye ai u kthye në një emigrant sezonal në vendin fqinj në Malin e Zi ku edhe punonte herë si murator dhe herë si shtrues pllakash. Por dhe ai u rekrutua megjithëse po përpiqej t’ia dilte mbanë me gjithçka të mundur, në fund ai u rekrutua dhe u josh nga një i afërm i tij i cili i ofroi dhe i tregoji mundësinë e çfarë shansi po i jepte krimi duke i treguar se mund të fitonin të dy shumën prej 50 mijë euro në rast se ai kryente një vrasje dhe ai e kreu këtë krim dhe më pas tregoi gjithçka të vetën, e vrau Behar Sofinë me porosi të grupeve kriminale, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të jenë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme SPAK”.
Ka raste tragjike si ai i Marjo Majollarit i cili nuk kishte asnjë lidhje me botën e krimit por iu desh të kërkonte strehë deri në Suedi për të shpëtuar por nuk ia doli dot.
“Rasti tjetër që nuk ka shumë lidhje me rrjetet e trafikut të drogës dhe të kultivimit lidhet me fatin e Marjo Majollarit, një 28-vjecar i cili u largua nga vendi i tij dhe kërkoi azil në Suedi, ai jut ha dhe ju kërkoi ndihmë autoriteteve suedeze duke treguar se në Shqipëri atij i rrezikohej seriozisht jeta dhe mund ta vrisnin për shkak sepse babai i tij disa vite më parë kishte kryer një krim të dyfishtë dhe për këtë arsye ishte dënuar në Shqipëri me burg të përjetshëm. Por kërkesa e tij nuk u mor parasysh ai u kthye në Shqipëri dhe në fakt ndodhi ajo që i riu kishte thënë, atij ju bë pritë nga vrasësit dhe u vra për arsye gjakmarrje ashtu sikurse hetoi prokuroria. Kjo lidhet më shumë me panoramën e të rinjve, Marjo nuk kishte probleme me grupet kriminale por kishte probleme me ata që e gjurmonin pra nuk ishte i rekrutuar nga grupet kriminale”, tregon për “Vetting” gazetarja Anila Hoxha.
Do ti kthehemi rrëfimit të riut në video për të dëgjuar përgjigjen për ëndrrën që ai ka, si e ka projektuar ai të të ardhmen: “Asnjëherë s’kam për tu penduar. Ne që kemi këtë punë një ëndërr kemi, me hap një vend tonin mos me u marrë kështu, por duke e shitur në sasi të mëdhaja, për të bërë lekë të madh. Asnjëherë s’kam menduar për ndonjë ëndërr, vetëm për të bërë një shtëpi bari kam ëndërr edhe jo këtu se nuk ja vlen por nga Anglia ku bëhet dhe leku i madh. Para se të vij këtu i kam pirë nja 2-3 teke hashash edhe sot që flasim mos të gënjej”.
Është tronditëse, sepse për fat të keq është ëndrra e shumë të rinjve shqiptar të kësaj kohe. Ata nuk duan e as iëndërrojnë auditoret e universiteteve. Modelet e tyre që shpesh vijnë përmes rrjeteve sociale, janë historitë tragjike tëtërinjve shqiptarë që sot janë në majat e krimit të organizuar në botë.
Sipas gazetares Anila Hoxha nuk ofron modele që mund të ndiqen nga të rinjtë: “A ofron shoqëria jonë modele frymëzuese tek të cilët të rinjtë dhe gjithë të tjerët ti shohin ti kopjojnë. Pra cili është modeli që të rinjtë kanë aktualisht, kanë modelin e një individi i cili pasurohet shpejt, fiton para shpejt. Në momentin që drejtësia nuk vepron për të hetuar pasuritë e një personi të tillë, një personazhi që është potencialisht një trafikant atëherë një i ri 20-vjeçar, 30-vjeçar e kështu me rradhë është gati dhe është në gatishmëri të kopjojë atë model, konsideron atë modelin e suksesit dhe jo modelin e suksesit dikë tjetër i cili është i angazhuar, është i përpiktë me ligjin dhe është gati të zbatojë ligjin dhe të qëndrojë një qytetar i ndershëm megjithëse ka atë malin e faturave dhe pamundësirave të mëdha”.
Gazetari i ABC, Artan Hoxha bën thirrje për një ndërhyrje urgjente, pasi sipas tij nuk mjaftojnë vetëm orët sensibilizuese nëpër shkolla, por janë shembujt e rrjeteve sociale ato që ndikojnë negativisht tek të rinjtë: “Më është dashur që ta shoh me sytë e mi anë e kënd globit shqiptarë dhe për të kuptuar që ne nuk mund të përballemi me policë që mund të paguajmë 500 dollarë në muaj me trafikantë të këtij niveli që bëjnë karshillik qyteteve tona, resorteve tona që kanë makina më të bukura, që kanë lokale me të bukura luksoze që kanë vilat më të bukura. Padiskutim ekspozimi i jetës së tyre është marketing më i mirë për botën e krimit, pra në një situatë të tillë ne duhet që në mënyrë emergjente në mënyrë urgjente të ndryshojmë qasjen ndaj kësaj situate. Duhet sa nuk është vonë një minutë e më orare të marrim frenat e situatës dhe minimalisht të fillojmë të kurojmë një sëmundje e cila po merr përmasat e tumorit që të mos përfundoj në një tumor sëmundje e pashërueshme ne do të reagojmë ende sa kemi kohë dhe duhet bërë sa më parë. Nuk bëhet me propagandë nuk bëhet me ato reagimet shabllone nëpër shkolla që persona nga jeta publike shkojnë e ju flasin atyre dhe sapo të dalin nga dera e shkollës fëmijët hyjnë të gjithë nëpër rrjetet sociale e shikojnë videot, klipet e njerëzve që vijnë nga bota e krimit apo që financojnë nga bota e krimit. Nuk mund të bëjmë një orë leksion të kujtdo personazhi publik në një ambient shkolle të zëvendësojë 23 orët e tjera të cilat ata kanë marrë informacion në mënyrë të vazhdueshme, të padiskutueshme dhe këtë herë janë bombarduar nga marketing që lëshon bota e krimit”.
Mijëra të rinj shqiptarë u bënë punëtorë të arave me kanabis të mbjedha maleve të Shqipërisë. Por dy vitet e fundit ka ndryshuar strategjia e bosëve të krimit. Kultivimi realizohet atje ku është tregu i shitjes, në Britani, Francë, Spanjë, Itali gjermani e gjetkë.
“Mjafton të kujtoj disa nga operacionet e fundit të kryera në qytetet më të më dha si përshembull në Tiranë, Durrës, Fier apo edhe në Shkodër të rinjve të cilët në mënyrë episodike të cilët ata bashkëveprojnë me antarët e familjes apo shokët e ngushtë, ata marrin shtëpi me qera në qytete të mëdha dhe i konvertojnë ato në shtëpi bari ’Ferma Hashashi’ të vogla parë në sy, duke u përfshirë me kryefamiljar si përshembull me prindërit e tyre apo dhe me shokët e tyre. Një nga rastet ka qenë edhe ai i marrjes me qera të një apartamenti në Tiranë nga një i ri i cili arriti të blejë dhe farën e kanabisativës dhe së bashku me shokun e tij tentoi të mbillte dhe të kultivonte kanabisativën. Ai u justifikua që të gjithë bimën e kishte kultivuar për përdorim vetjak por të dhënat dhe dëshmia e tij binin ndesh me të gjitha provat që është thënë në polici dhe prokurori që thanë se kjo sasi droge ishin mbjellë për tu shpërndarë në qytetin e Tiranës, përdorues ishin kryesisht grupmoshat e reja”, tha gazetarja Anila Hoxha.
Gazetari Artan Hoxha shprehet se Shqipëria është një shkollë për kultivuesit e kanabisit, të cilët janë më të preferuarit nga kultivuesit europianë: “Pjesa dërrmuese e grupeve kriminale sidomos atyre që merret me kultivimin e kanabisit gjë të cilën nuk e bëjnë më vetëm në Shqipëri për të mos thënë se pjesën dërmuese e bëjnë jashtë territorit të Shqipërisë, në Britani, në Francë më tepër në Spanjë, në Itali, në Greqi. Shqiptarët mund të kultivojnë kanabis gjithandej sepse çerdhen, kopshtin dhe filloren e bën në Shqipëri. E nisëm me lumen e Vlorës dhe me Lazaratin kaluan në pjesën tjetër të Shqipërisë dhe sot ata janë specialistët më të mirë për kultivimin e kanabisit prandaj çdo kultivues kanabisi në Europë sa merr vesh që je nga Shqipëria dhe e di që ti je marrë me kultivimin e kanabisit ai e di që ti je marrë me kultivimin e kanabisit e di që ti je i zoti që ti japësh një prodhim cilësor dhe një prodhim me rendiment të lartë”.
Edhe pse mund të arrestohen e të dënohen, kur dalin nga burgu sërish mendojnë si ti kthehen aktivitetit kriminal duke modifikuar të dhënat personale.
Gazetari Artan Hoxha tregon historinë e dy të rinjve të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike, të cilët i ka takuar në Madrid: Në udhëtimin e fundit që kisha duke u kthyer për Shqipëri, tranzitin e kisha në Madrid. Për fat të keq mes njerëzish që takova ishin disa të rinj. Dy prej tyre sa kishin dal nga burgu, kishin qenë në këto sipërmarrjet e mëdhaja të kultivimit të kanabisit, i kishte arrestuar policia në Spanjë. Dënimi në Spanjë për kultivimin e kanabisit janë minimale krahasuar me ato në Shqipëri por sigurisht ata të rinj kanë njollosur emrin e tyre. Janë dënuar, kanë hyrë tashmë në skedarët e policisë kanë marrë një dënim për të mos hyrë në vendet e BE-së legalisht dalloheshin qartë se kanë dal nga burgu, ishin me një pamje jo normale të vrarë të lodhur. Kishin qenë në burg ku s’dinin as gjuhë po ktheheshin në Shqipëri vetëm për të marrë veten dhe për ti parë familjarët edhe po ktheheshin për të gjetur një mënyrë tjetër se si tashmë sepse ata kishin ikur legalisht në Spanjë se si në mënyrë të paligjshme duhet të ktheheshin për të vazhduar aktivitetin e tyre dhe ke të bësh me të rinj të cilët autoritetet tona nuk e dinë se çfarë ndodh me to”.
Nëse një grup kriminal në Spanjë, Britani apo diku tjetër nis projektin për ndërtimin e një shpie kanabisi, do të kërkojë të gjejë një ekspert shqiptar të kultivimit të kësaj bime. Në sytë e botës së krimit, ata janë kthyer në agronomët më të mirë të kultivimit të kësaj bime vrastare.
Dashur pa dashur ne e kemi kthyer këtë vend sot në një vend që përgatit çdo dit lëndën e parë për krimin e organizuar pra ne po shkollojmë ashtu siç shkollojmë infermierët, ndihmës mjeket apo mjeket për në Gjermani dashur pa dashur po bëjmë të njëjtën gjë për botën e krimit të organizuar dhe ky fenomen është vazhdimisht në rritje. Nëse do të bëjmë një vëzhgim në aeroportet hyrëse dhe dalëse në territoret e Shqipërisë do shikohet se mosha mesatare e atyre që lëvizin nga Shqipëria drejt BE-së është ulur si asnjëherë tjetër. Janë pikërisht këto mosha që joshen që tek dera e gjimnazit aq më tepër që ke të bësh me të rinj që vijnë nga zona rurale qoftë jugu i Shqipërisë të cilët ata e kanë kultivuar kanabisin të cilët ata e kanë mësuar se si është cikli i kanabisit se si duhet të sillesh me bimën, se si duhet ta plerosh, se si duhet ta kontrollosh, se kur duhet ta koresh, pra ata janë bërë një lloj agronomi. Janë bërë zakonisht të domosdoshëm për vet trafikantët”, tha gazetari i ABC, Artan Hoxha.
Të rinjtë e angazhuar në rrjetin kriminal të rritjes së kanabisit kujdesen të respektojnë të gjitha rregullat e qëndrimit në vendet e Bashkimit evropian. Ata llogarisin mirë ditët që iu lejohet të qëndrojnë në vendet e BE-së, pa i shkelur rregullat duke i përllogaritur me ditët e ciklit të rritjes së kanabisit.
Artan Hoxha shpjegon se kultivuesit shqiptarë të kanabisit përpiqen ti respektojnë rregullat e BE duke e llogaritur me kohën e rritjes së kanabisit: “180 ditë në muaj që lejohen me vizën me pasaportën e Shqipërisë ata të mos e shkelin në mënyrë që të shkojnë herën tjetër për të bërë të njëjtën gjë. Kultivimi me llamba dhe me kultivarët e rinj. Ti mund ta bësh mund ta marrësh nga mbjellja deri në korrje për 3 muaj dhe brenda vizës dhe brenda atij 90 ditëshit një i ri nga provincat e Shqipërisë mund të shkoj atje të kultivojë kanabis edhe brenda 90 ditëshit duhet të kthehet në Shqipëri. Të qëndroj në Shqipëri dhe pas 90 ditëshit të qëndroj prapë dhe trafikantët shqiptarë që ishin në Spanjë e kordinonin këtë gjë. Ata për një sezon kishin marrë 2 lloje punëtorësh. Punëtor që punonin 3 mujorshin e parë edhe puntorë që punonin 3 mujorshin e tretë dhe kishin punëtorë të tjerë që punonin 3 mujorshin e dytë dhe 3 mujorshin e katërt. Pra për të mos e pasur bosh ambientin”.
Angazhimi në rritjen e kanabisit dhe tregtimin e tij është vetëm fillimi i një rruge të egër drejt labirinteve të botës së krimit.
Sipas gazetarit të ABC, Artan Hoxha kontigjentet e krimit e nisin ‘karrierën’ e tyre në Shqipëri dhe më pas bëhen pjesë e organizatave kriminale në Europë: “Një kriminel apo një pjesëtar i krimit të organizuar nuk shkon menjëherë pra krimin e organizuar nëse do ta ndajmë në terma të arsimit është shkolla e lartë ose universiteti i kriminalitetit në botë, por ti nuk mund të shkosh në universitet pa kaluar së pari në çerdhe, kopësht, në fillore, në 8-vjeçare, në gjimnaz deri sa të shkosh atje. Prandaj që të shkosh deri tek krimi i organizuar ti do ti nisësh hapat nga krimet më të rëndomta dhe në fakt historia e botës së krimeve në Shqipëri përgjithësisht ka shkuar e tillë pra ka ardhur që në hapat e para dhe pastaj ka ndjekur këto hierarki për të qenë aty ku kanë arritur në krye të organizatave kriminale sepse një pjesë e tyre nuk jetojnë, janë vrarë, janë arrestuar ose për të qenë aty ku janë sot që aktualisht janë në krye të organizatave kriminale në Shqipëri”.
Organizata kriminale nuk u shpikën në shqipëri. Ato kanë egzistuar dhe vazhdojnë të jenë aktivë ne të gjitha vendet e botës, por çdo qeveri çdo shoqëri ka mekanizma të qëndrueshëm për ti bërë ballëkrimit. Në shqipëri jemi në një fazë kur krimi ka marrë revansh dhe po tenton të hyjë deri tek moshat më të vogla në shkollat 9-vjecare.
Gazetari Artan Hoxha tregon mënyrën që përdorin grupet kriminale për të bërë pjesë e tyre minorenët: Sot ndarja në kryeqytet sepse në qytet është edhe tregu më i madh i trafikut të narkotikëve. Grupet kriminale i kanë të ndara jo me bashki, jo me komisariate siç është policia, jo me njësi administrative siç është pushteti vendor, por në bazë të shkollave, të shkollave 9-vjecare dhe shkollave të mesme sepse ata aty ku po krijojnë klientelën e cila do të jetë fuqia e tyre për dekadat që do të vijnë. Imagjinoni fëmijët që fillojnë të konsumojnë kanabis që në klasën e 8-të apo në klasë të 9-të, që fillojnë të bien në kontakt me kokainën në ato mbrëmjet në ato partit që organizojnë duke ikur nga klasat e mësimit, në ato partit që ua bëjnë edhe pa pagesë hyrjen vetëm që ti mësojnë me narkotikët. Do të jenë e ardhmja e trafikantëve”.
Ka statistika dëshpëruese për përfshirjen të rinjve në krim. Në raportin e vitit 2021 të INSTAT rezulton se 33,8 % e autorëve të krimeve janë të grup-moshës 30-44 vjeç. 28,1 % të grup-moshës 18-29 vjeç dhe 22,1 % i përkasin grup-moshës 45-59 vjeç. Sipas INSTAT, grup-mosha 21-29 vjeç ka normën më të lartë të të burgosurve në raport me numrin e popullsisë.
“Shifrat që raportohet nga institucionet e burgjeve, aktualisht shifra më e lartë që e vuajnë heqjen e lirisë janë pikërisht ata të rinj të implikuar në shitje droge dhe bëhet fjalë për të rinj që numri i tyre shkon deri në 800 persona që janë në burgje të ndryshme. Shumica e tyre janë të parekuituar dhe kanë mbjell drogë pra me idenë e tyre por ka edhe te tjerë te cilet u rekrutuan nga grupe kriminale per te rekrutuar drogë dhe me pas pavarsisht përpjekjeve të drejtë si nuk i treguan personat dhe pronarët për të mbjell dhe për tu kujdesur për bimët narkotike. Kemi një kategori tjeter të rinjsh të cilët janë përdorur nga grupet kriminale gjatë viteve e të fundit për të trasportuar drogë në krahë janë edhe kategori të rinjsh të cilët janë pa punë dhe që janë blerë lirë nga grupet dhe trafikantët për të traportuar lëndët narkotike me ngarkesa të konsiderueshme kryesisht përmes kufirit gjelbërt drejt Greqisë”, thotë gazetarja Anila Hoxha për “Vetting”.
Politika është veçse favorizuese e hapësirës që po zë gjithnjë e më shumë bota e krimit ndër të rinj shqiptarë. Sepse duke qeverisur me korrupsion, qeveritë prodhojnë rini të dëshpëruar e lënë në udhëkryqe ku siç shpjegon gazetari Hoxha, atje i gjen kollaj krimi.
Në intervistën për emisionin “Vetting” i riu tregon se këtë punë e bën për të përfituar si konsumator, pasi nga ana ekonomike nuk ka asnjë përfitim: “Më shumë këtë gjë e kam bërë për përfitimet e mija sepse edhe unë përfitoja, pija ndonjë gjë sepse nga ana e lekëve nuk është se ja vlen fare, vetëm më shumë e pija për kënaqësinë time. E kam bërë më shumë për qejf, e nxora teken me e pi në dark, për tu futur në botën time, pasi sot nuk ka punë për të bërë lekë. Skam punuar asnjëherë në një punë të ligjshme. Për ne nuk ka ligj. Vetë jam shtyrë të punoj. Nëse do ishte për ti lënë njërën nga këto të dyja normale do kisha lënë shitjen. Shitjen më shumë e bëjmë për të nxjerr teken tonë sepse është bërë vështir se nuk kemi lekë për ta blerë vetë. Shitjen do kisha lënë më shumë se sa pijen,s’do e kisha lënë asnjëherë madje dua të hyjë më thellë tek drogat e tjera por s’na dalin lekët edhe kemi ngel tek hashashi akoma”.
Sipas gazetari Artan Hoxha politika në Shqipëri nuk frymëzon të rinjtë që të shkojnë drejt rrugës së duhur: “Sigurisht që situata politike në Shqipëri për fat të keq nuk ka ecur në ritmet e duhura dhe kjo i ka favorizuar. Në një shtet ku qeveria, politika mbjellin pabesi, mbjellin mosbesim vrasin shpresën për fat të keq kanë krijuar lëndën e parë për organizatën kriminale. Ata kanë krijuar të rinj të dëshpëruar të cilët nuk gjejnë zgjidhje tjetër për të mbijetuar dhe për të realizuar ëndrrën e tyre që në pjesën më të madhe janë ëndrrat e gënjeshtrave, përveçse të ndjekin ëndrrën e gabuar pra rrugën e krimit dhe pastaj të futen në botën e krimit të organizuar dhe kryesisht narkotrafikut”.
Historia e kanabisit në Shqipëri nuk është një fenomen I ri. Rreth 20 vite më parë kur dhe nisi të shfaqej si problematikë kultivimi I kanabisit, politika u bë shpesh strehë e kultivueseve. Me kalimin e viteve, fenomeni nisi të shtrihej në grupmosha të ndryshme madje u bë shqetësues edhe tek gratë e moshës së tretë.
Gazetarja Anila Hoxha tregon se si në fillim të viteve 2000 ishin edhe gratë ato që u përfshinë në mbjelljen e kanabisit: “Përpara 23 viteve natyra e kultivuesve pati një shpërthim të natyrës së kultivuesve të vendit dhe bëhej fjalë gati gati kishte edhe të moshuar kultivues. Ata kultivonin drogë në jug të vendit një nga zonat që u kthye si bastion i Fierit dhe kultivonin në oborret e shtëpisë pra nuk largohehin në pyje, apo në toka pa pronar, pra kultivohej në oborret e shtëpisë dhe skishin nevojë të largoheshin në pyje. Kur policia afrohej në vendngjarje të gjithë ata thonin përpara policisë që po mbillnin kanabis në sasira të vogla sepse nuk ju leverdiste të kultivonin kultura të tjera për të fituar dhe më pas shumica e atyre që ishin kultivues deklaroheshin dhe vetëdeklaroheshin që ishin zonjat e shtëpisë për të shpëtuar bashkë shortin kryefamiljarin duke thënë më së shumti që bashkëshorti i tyre ishte emigrant duke thënë që unë e mbolla kanabisin sepse nuk e dija që ishte bimë narkotike po kultivoja domate apo një kulturë tjetër, ky ishte justifikimi. Mbas 2001, 2002, 2003 pati një numër të lartë grash të cilat u shpallën në kërkim dhe të moshuara nga jugu i vendit. Vetëm për zonën e labërisë numërohen të kenë qenë gati 60 gra të cilat u dënuan nga gjykata, disa prej tyre edhe përfunduan edhe vuajtën heqjen e lirisë në burgun e grave në Tiranë”.
Me kalimin e viteve, fenomeni nisi të shtrihej në grupmosha të ndryshme madje u bë shqetësues edhe tek gratë e moshës së tretë. Kur këto gra të shkuara në moshë merrnin përsipër krimine kultivimit të hashashit, nëpër oborret e banesave të tyre rriteshin fëmijë. Patjetër që ata fëmijë do të tentonin të kishin qasje të ngjashme me familjarët e tyre dhe patjetër që do të ishin kontigjent i mundshëm për kultivim të lëndëve narkotike. Ata fëmijë janë sot zotër të tregjeve të kultivimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
“Me kalimin e viteve kultivimi e drogës u sofistikua. Ata i lanë oborret edhe qytetarët nuk e mbillnin më kanabisin në oborret e shtëpis por ata filluan dhe në toka pa pronarë pra pyje, toka të cilat në fakt nuk ishin të askujt ose toka që më pas në marrëveshje me policinë ata e merrnin përsipër kultivimin e drogës në mbrojtjen e policisë kjo është kategoria e kultivuesve të viteve të fundit të cilët edhe me bekimin e policisë kultivuan parcela të ndryshme. Çfarë iu bashkon të gjithë? Fitimi i shpejtë, nëse dikur të moshuarit që unë kam intervistuar apo grupmosha të ndryshme thoshin apo rëfeheshin në atë kohë kur isha në median e shkruar dhe thoshin ne kultivojmë kanabis sepse nuk ja dalim mbanë me pensionin, ne kultivojmë sepse kushton më tepër të kultivosh misër”, gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.
Politika dhe shoqëria shqiptare janë përgjegjësit për shifrat e sotme të kriminalizimit të të rinjve. Për gazetarët, situata është alarmante dhe duhet me urgjencë reagimi i institucioneve: politikës, policisë por veçanërisht i shoqërisë shqiptare.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha: “Nëse do qëndrojmë në kontekstin e tanishëm ku shohin që shumë të rinj ikin me çdo kusht nga vendi i tyre sepse nuk ofron prespektivë e ardhmja duket pa të ardhme por them këtë tjetrën që shumë të tjerë zgjedhin të jetojnë në vendin e tyre pavarsisht vështirësive, pavarsisht panoramës aspak të mirë dhe them që nëse ne do të ofrojmë modele të mira, është e vështirë”.
Gazetari i ABC, Artan Hoxha: “Nëse ne do të kemim rastin për tu përballur me krimin e organizuar për dekada sepse në afatshkurtër nuk shoh ndonjë shpresë të madhe është që ne do të fillojmë që sot për mënyrën se si fëmijët tanë ,të rinjtë tanë cfar modelesh do tju japim ne ktyre,cfar rruge do tju japim atyre,cfar formimi do tju japim atyre,dhe cfar mesazhi do tju japim atyre për mënyrën se si ata do ta ndërtojnë jeten e tyre dhe që ata do ta ndërtojnë jeten e tyre në ktë vend”.
Një vend ku e ardhmja e të rinjve sa vjen e bëhet më e zymtë, ku mungojnë mundësitë për nevojat minimale; ku mungon orjentimi për arsim e vënde pune; ku politika nuk i ka në agjendë hallet e ëndrrat e tyre; bota e krimit po e projekton gjithnjë e më shumë si vëndi i lëndës së parë për aktivitetin e tyre kriminal.
Sipas gazetares Anila Hoxha edhe ata që i kryejnë studimet në Shqipëri dëshirojnë të largohen në vendet e Bashkimit Evropian: “Të dhënat tregojnë se edhe ata që qëndrojnë në universitete në Shqipëri për të ndjekur studimet e larta, shumë prej tyre realisht ndjekin studimet e larta me planin e madh që të largohen. Prsh disa prej tyre ndjekin studimet për infermieri me shpresën se kartoni që ata marrin nga infermieri ju garanton një punë në Gjermani. Disa të tjerë i bien shumë shkurt, paguajnë gjithcka ose qoftë edhe me këtë kushtin shumë të pashpresë për të punuar në një shtëpi bari, në një shtëpi hashashi vetëm që të largohen sepse nuk kanë të ardhura për të udhëtuar drejt Britanisë së Madhe”.
Ndërsa Artan Hoxha thotë se rinia shqiptare sot ndodhet e paorientuar: “Më vjen keq duhet ta bëj këtë prognoz që më teper është disfatiste por realiteti është për fat të keq me këtë ngjyrë por është drejt ngjyrës ster të zezë. Nuk e di sa shanse kemi aktualisht por nëse do të vazhdojmë në këtë formë do ti minimzojmë edhe ato pak shanse që kemi për ta shpëtuar të ardhmen e vendit tonë pra duke shpëtuar vendin sot ne do të shpëtojmë të ardhmen e vendit tonë. Duke e lënë rinin sot në dëshpërim pa zgjidhje me ëndrra të parealizuara dhe në mes të 4 rrugëve dhe dashur pa dashur e kemi dhënë lëndën e parë krimit të organizuar”.
Në një vend normal, të rinjtë do të duhej të ishin forca dinamike e zhvillimit të proceseve ekonomike dhe sociale. Por për fat të keq, sot në vëndin tonënuk ndodh kështu. Të rinjtë në Shqipëri janë thuasje të përjashtuar nga projektet e elitës politike. Nëse investon në arsim brenda ose jashtë vendit, njëi ri nuk e ka një vënd punë të sigurt. Të parët para mundësive janëjanëtë rinjtësocialist tëFRESH-it, demokratët e FRPD-së, a ndonjë parti tjetër. Tërinjtë e zakonshëm të këtij vendi janë në fundin e listës.Për fat të keq e ardhmja e të rinjve shqiptarë nuk është e sigurt ndaj dhe ata janëgjithnjë të tunduar për tu nisur drejt emigracionit e shumë prej tyre për ti hyrërrugës së krimit atje ku fitohen para shumë shpejt.
Dhe padyshim, nëse do të vazhdojnë të zbrazen auditoret e universiteteve e tëmbushen gomonet drejt Britanisë a vendeve të tjera, e ardhmja do të jetë e zymtë.
Gazetari Artan Hoxha e mbyll duke rikujtuar një shprehje të një trafikanti të drogës: “Ne duhet të vendosim sot, këta fëmijë, kjo rini do jetë e ardhmja e Shqipërisë apo do të jetë e ardhmja e botës së krimit. Nuk më harrohet batuta që ka thënë një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të kokainës në botë, batuta e tij është ‘Fëmijët tuaj janë e ardhmja jonë’./abcnews.al/