Matko Djarmati, drejtori sportiv i Vllaznisë, gjatë këtyre ditëve ka pasur mjaft punë në lidhje me zërat e merkatos. Emra nga më të ndryshmit janë lidhur me kuqeblutë që kryesojnë Superioren dhe normalisht kroati nuk është ndjerë mirë.
I ftuar në emisionin “Pressing” në ABC, ai u pyet edhe në lidhje me mungesën e sulmuesve në një klub që ka prodhuar shumë lojtarë goli ndër vite. “Kemi një nga akademia, Nikajn. Është nga më të mirët aty. Çdo dekadë Shkodra ka nxjerr nga një sulmues, por mungojnë kudo. Çështja e sulmuesve është kudo”.
“Objektivi kundër Teutës? Deri tani nuk kemi luajtur në asnjë ndeshje për një pikë. Shpresojmë që të vijë edhe Teutë me këtë mendje. Do kisha dëshirë një ndeshje me shumë gola, ku ne të shënonim një gol më shumë se kundërshtari. U trembem vetëm kushteve atmosferike. Shiu nuk ka pushuar prej 7 ditësh, ka qenë pengesë.
“Teuta? Kanë skuadrën më të kompletuar. Fizikisht janë shumë të mirë. Vila i vogël ka mundësi të mos luajë. A ka presion? Jo, do kisha dëshirë që të kishte publik. Nuk ndihet presioni pa ata, mungojnë shumë”. /abcnews.al