Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Mat do të nisë nga puna brenda pak muajsh. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të DPSHTRR, Ilir Mënga dhe kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.
Drejtori Mënga tha se brenda muajit qershor parashikohet që kjo zyrë, pjesë e së cilës do të jenë afro 15 persona, banorë të zonës, të jetë funksionale. “Kemi një godinë të re, e cila është në një sipërfaqe trualli rreth 3 mijë metra katrorë. Kemi godinën administrative me dy kate nga 300 metra secili dhe kemi dhe kapanonin e kontrollit teknik dhe fizik. Kemi rreth 6 mijë automjete dhe rreth 15 mijë drejtues mjetesh që përfitojnë”, tha Mënga.
Duke vlerësuar ritmin e shpejtë të punimeve, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se ishte e rëndësishme ngritja e kësaj drejtorie në zonën e Matit, pasi ul kostot për qytetarët, duke kursyer ndjeshëm edhe kohën.
“Për shkak se është një nga qarqet me territorin më të shtrirë dhe sigurisht një territor të vështirë me shumë rrugë rurale dhe për shkak të të gjitha ankesave nga drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët, jemi detyruar që të bëjmë një analizë dhe të shikojmë saktësisht se çfarë duhet të bënim për këtë qark. Duhet thënë që sot në Republikën e Shqipërisë kemi mbi 880 mijë mjete aktive të cilat kanë nevojë për shërbimet e DPSHTRR-së dhe po kështu ndodhte edhe në zonën e Matit ku shumë automjete të qytetarëve, shumë automjete të bizneseve, ju duhej të shkonin deri në Dibër për të marrë shërbimet”, tha Balluku.
Sa i takon stafit, Zëvendëskryeministrja u shpreh se bindur se cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve edhe në Mat do të jetë në të njëjtin nivel me atë që sot ofrohet në të gjitha zyrat e DPSHTRR në të gjithë vendin. “Jam e sigurtë që do të gjeni punonjës të mirë, punonjës të cilët janë të kualifikuar për çfarë kërkohet në proceset e DPSHTRR-së dhe mjafton që tashmë të bëhemi gati për të nisur nga puna për të ofruar atë shërbim sipas cilësisë që ne tashmë e ofrojmë në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, nënvizoi Balluku.
Për kryebashkiakun Malaj hapja e DRSHTRR në Mat ishte një kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve e cila tashmë po bëhet realitet, duke mos qenë më e nevojshme për ta që të udhëtojnë deri në Dibër