Tre persona janë vënë në pranga dhe 151 kilogramë kanabis u sekuestruan gjatë operacionit “Bardhaj” në Shkodër. Sipas policisë, dy nga të arrestuarit janë malazezë, kurse personi i tretë nga Shkodra.
Kapja e tyre u bë nga kontrolli në brendësi të mjetit tip fugon “Volkswagen” me targa malazeze, i cili ishte futur në Shqipëri nëpërmjet doganës së Hanit të Hotit.
Policia zbuloi 25 paketime polisteroli, 13 nga të cilat kishin brenda tyre lëndë narkotike të dyshuar “marijuanë” me peshë totale 151 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Malazezët kishin blerë drogën në Shkodër dhe po e dërgonin për tregun e narkotikëve në Malin e Zi. Gjithashtu u sekuestruan 2 automjete, 5 telefona celularë, 1 palë dylbi dhe një sasi eurosh. Policia njofton se në këtë linjë janë të implikuar dhe persona të tjerë, të cilët janë në kërkim./abcnews.al