Tre prej personave që dyshohet se janë pjesëtarë të grupit që trafikonte drogë nga Shkodra në Mal të Zi janë lënë në burg ndërsa dy të tjerët në detyrim paraqitje. Operacioni antidrogë u zhvillua disa ditë më parë në Malësinë e Madhe ku u sekuestrua 205 kilogramë marijuanë.
Grupi kriminal prej pesë personash që dyshohet se organizonte trafikun e drogës nga Shkodra në Mal të Zi u paraqit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër për masë sigurie.
Për Zef Kolën, Genti Meçajn dhe Kristian Melajn, u vendos arrest me burg kurse Elvis Hysaj dhe Xhuzepe Delaj u lanë në detyrim paraqitje. Në seancë gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura të akuzuarit janë përfaqësuar nga avokatët mbrojtës, ndërsa nuk kanë pranuar të flasin.
Zef Kola dhe Genti Meçaj sipas mbrojtjes kanë mohuar të kenë lidhje me këtë aktivitet të paligjshëm. Nga ana tjetër për Kristian Melajn, avokati mbrojtës Anton Kosteri ka kërkuar lirimin e tij, pasi është arrestuar për moskallëzim krimi dhe sipas tij nuk është pjesëtar i këtij grupi kriminal.
Gjykatësja e çështjes Irida Kaçerja ka kundërshtuar pretendimet e mbrojtjes duke lënë në burg Kristian Melaj.
Arrestimi e pesë peronave është bërë me datë 3 Korrik në zonën e Malësisë së Madhe ndërsa është sekuestruar 205 kilogramë lëndë narkotike, marijuanë që po transportohej me një furgon në pronësi të shtetasit Zef Kola dhe në prani të Genti Meçajt. Dyshohet se droga kishte si destinacion përfundimtar Malin e Zi./ABC News albania 24/7