Droga në Vilun të Velipojës, ABC News sjell pamje të vilës që ishte kthyer bazë e trafikantëve

schedule15:43 - 12 Nëntor, 2017

schedule 15:43 - 12 Nëntor, 2017

ABC News sjell pamje të Vilës ku u zbuluan 1.5 tonë kanabis sativa në Vilun të Velipojës. Ajo është një shtëpi, pronari i së cilës prej vitesh banon në Itali. Sipas informacioneve që ka siguruar ABC News, droga kishte ardhur nga Vlora.

Një telefonatë në sallën operative për vjedhje shtëpie në zonën e Vilunit për pak sa nuk hodhi në erë operacionin e fshehtë.
Në këto kushte, antidroga dhe forcat speciale të Shkodrës, në drejtimin e komisar Xhovalin Lokës, u hodhën në veprim.
Hetimet e posaçme kishin nisur prej më shumë se dy javësh. Qëllimi ishte që finalizimi i operacionit të bëhej kur droga të sistemohej në skaf.
Por nuk pati më kohë. Kur policia mbërriti në Vilun, një pjesë e drogës ishte futur në furgon, një pjesë tjetër ishte magazinuar brenda ndërtesës. Gjithsej 1.5 tonë kanabis sativa.
Shtëpia në pronësi të Petrit Vuksanit banues në Itali është shfrytëzuar si magazinë. Droga vinte nga Vlora per tu transportuar më pas përmes detit në Itali.
Një dykatëshe në Vilun të Velipojës, në kujdestarinë e Sokol Ujkës, i cili përfundoi në pranga, duket se është studiuar mirë nga trafikantët. Përreth saj nuk banon askush pasi banorët kanë emigruar.
Pesë personat e arrestuar mohojnë lidhjet me njëri-tjetrin. Por policia këmbëngul qe ka prova për këtë. Efektivi i Policisë së Kufirit dhe Migracionit Tiranë, Prel Enriko Zyle, ka kryer rolin e garantuesit si dhe ka shoqëruar furgonin me lëndë narkotike nga Vlora në Velipojë. Personi i gjashtë i vendosur në pranga është Fatjon Merko nga Përmeti, i cili mundi të largohej nga makina e Zyles. Policia ka vazhduar operacionin për të gjetur skafin në të cilin do të ngarkohej lënda narkotike, por pa rezultat. Pesë të arrestuarit do të dalin për masë sigurie të hënën./abcnews.al

 

https://youtu.be/yJ6qrnpFAaE

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!