Nga Xhensila Kodra
Policia nuk ka ende të qartë se si dy shtetasit turq të arrestuar pak ditë më parë në aeroportin e Stambollit me 32 kg kanabis të kenë kaluar lëndën narkotike nga Rinasi. Për këtë arsye, autoritetet e të dyja vendeve kanë nisur hetimet e përbashkëta për të zbuluar bashkëpunëtorët.
Në vendin tonë, mësohet se nën hetim janë vënë 3 kontrollorë të cilët kanë pasur për detyrë kontrollin e bagazheve në aeroportin e Rinasit. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije për ABC se, gjatë marrjes në pyetje, deklaruan se nuk konstatuan sende të jashtëligjshme apo lëndë narkotike në valixhet e tyre.
Hetuesit dyshojnë se dy të huajt mund të kenë korruptuar kontrollorët për të kaluar sasinë e drogës. Nisur nga këto dyshime ata i kanë kërkuar autoriteteve turke bashkëpunim në hetime. Krahas kësaj dosjeje, në vendin tonë policia po heton edhe përfshirjen në trafikun e drogës të punonjësit të policisë rrugore në kryeqytet, Florenc Bicerrit, i prangosur po në Turqi bashkë me dy shqiptarë të tjerë.
Arrestimi i policit rrugor në Turqi me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike ka bërë që Policia e Shtetit nëpërmjet një letërporosie t’i kërkojë autoriteteve turke informacion në lidhje me ecurinë e hetimeve. Kjo për shkak se ka dyshime që të përfshirë në këtë veprimtari të ketë edhe shqiptarë të tjerë.
Nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, rezultuan se Bicerri udhëtoi më 5 tetor nga Rinasi drejt Stambollit i shoqëruar nga Kujtim Çeliku, një ish komando, tashmë të arrestuar që të dy në Turqi.
Nga analizimi i pamjeve të kamerave në aeroport ka rezultuar se Bicerri e Çeliku nuk kanë pasur sende të jashtëligjshme gjatë kontrollit të skanerit. Në çantën e shpinës kanë pasur rroba. Hetimet deri më tani tregojnë se lëndën narkotike ata e kanë siguruar në Turqi, ku edhe u arrestuan në një parkim. Bashkë me ta u prangos edhe një tjetër shtetas shqiptar, i identifikuar si Ardian Qirici. /abcnews.al/