Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Dritasi, toka e ullinjve/ Xhixha: Duhet të jesh agronom dhe njohës i mirë i ullirit, nuk është e thjeshtë

schedule20:38 - 20 Dhjetor, 2025

schedule 20:38 - 20 Dhjetor, 2025

Në fshatin Dritas, mes njerëzve punëtorë dhe një tradite të hershme bujqësore, kultivimi i ullirit mbetet një nga shtyllat kryesore të jetesës. Një pjesë e mirë e komunitetit siguron të ardhurat nga agrumet dhe veçanërisht nga kultura e ullirit, e cila i ka dhënë identitet kësaj zone.

Teksa udhëton në kodrat e Dritasit, përballesh me një rrugë në proces rikonstruksioni. Mjete dhe punëtorë që i japin një tjetër pamje fshatit, duke treguar se zona ka prirje zhvillimi, veçanërisht në sektorin e pemëtarisë.

Pëllumb Xhixha është një nga banorët që pasionin për tokën e ka kthyer në mënyrë jetese. Edhe pse në prag pensioni, ai vazhdon çdo ditë punën në plantacionin e ullinjve, ku e gjejmë së bashku me familjarët në procesin e vjeljes.

“Jemi të kënaqur me prodhimin, por kemi mungesë të fuqisë punëtore. Kemi marrë punëtorë, por është e vështirë për t’i gjetur.”

Plantacioni është i ndarë sipas varieteteve të ndryshme të ullirit, çka sipas Pëllumbit kërkon njohuri.

 “Kemi mbjellë varietetin italian për prodhim vaji, kemi marrë edhe kaniniotin. Fillimisht kemi nisur në vitin 2008 me forcat tona, në 2010 kemi mbjellë të tjerë dhe sot kemi rreth 600 rrënjë ullinj.”

Puna me ullirin, thotë ai, nuk është e thjeshtë dhe kërkon përkushtim gjatë gjithë vitit.

 “Me fol për ullirin duhet të jesh agronom. Ka plehërimin, krasitjen, vaditjen.”

Këtë vit, prodhimi ka qenë i mbarë dhe vjelja ka nisur në kohën e duhur.

 “Kemi filluar vjeljen dhe jemi të kënaqur këtë vit. Kemi edhe ullinj shekullorë në Qinëm. Rreth datës 20 dhjetor, fundi i dhjetorit, duhet ta gjesh të vjelur këtë varietet.”

Për sa i përket përpunimit të vajit, Pëllumbi thotë se tashmë kanë gjetur zgjidhjen e duhur, ndryshe nga vitet e para.

 “Me përpunimin e vajit kemi gjetur fabrikën më të mirë, Kadri Muka është mjeshtër i vajit të ullirit. Para vitit 1990 s’kishte fabrika, e përpunonim me këmbë, ishte stermundim”

Sot, sfida mbetet tregtimi i prodhimit, ku ai kërkon më shumë mbështetje institucionale.

 “E mira është që institucionet të na gjejnë zgjidhje për gjithë këtë prodhim. Ne e shesim te të njohurit, kemi gjetur treg.”

Cilësia e vajit të ullirit të Dritasit, sipas tij, tashmë është bërë e njohur edhe jashtë kufijve. Ndërsa mesazhi i tij shkon veçanërisht për të rinjtë.

 “I bëj thirrje të rinjve: nuk është shumë fitimprurëse, por s’të lë pa gjë. Nuk do shumë stermundim. Ka shumë familje që merren vetëm me ullirin dhe jetojnë për mrekulli, sepse kjo zonë është shumë e përshtatshme.”

Përveç plantacioneve me ullinj, Pëllumbi ka investuar edhe në përpunimin e drurit. Ndërkohë, Dritasi shihet gjithnjë e më shumë edhe si një zonë me potencial turistik, falë natyrës, historisë dhe kulinarisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!