Presidenti Meta dhe Kryeministri Rama kanë pasur disa dreka sëbashku. Këtë e konfirmoi kreu i qeverisë gjatë konferencës për mediat të martën, ku tha se drekën e fundit sëbashku e kishin pasur përpara 10 ditësh sëbashku.
Në këtë mënyrë, Meta sqaroi se pse kreu i qeverisë ishte në dijeni të vendimit të tij për çdekretimin e datës së zgjedhjeve. Gjithashtu Meta ka theksuar se ka tentuar që të takojë Ruçin për të shtyrë datën e zgjedhjeve, por kryetari i Kuvendi ka qenë në një udhëtim drejt Tepelenës.
“Nga e dinte zoti Rama? Kemi patur një drekë sekrete. Kemi pasur disa, por e fundit në Pallatin e Brigadave para 10 ditësh besoj, ku kemi biseduar dhe ku ai e di shumë mirë dhe e ka ditur gjithmonë se sa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe për tejkalimin e saj. I takonte atij si Kryeministër që të kërkonte një shtyrje të arsyeshme, një datë tjetër për zgjedhje vendore. Ju e dini që unë që në 24 maj publikisht kam shprehur gatishmërinë time për t’i shërbyer një zgjidhjeje pas dakordësimit të palëve për të shfuqizuar datën 30 Qershor dhe për të gjetur zgjidhjen për një datë tjetër. Për fat të keq kjo kërkesë e imja, kjo nxitje e imja për dialog nuk ka funksionuar dhe dy-tre ditë përpara se të merrej ky vendim, Rama ka qenë në një emision televiziv dhe e ka bërë të ditur në mënyrë të qartë se pala e tij nuk e vë në diskutim datën 30 Qershor. Nuk kam bërë ndonjë tentativë për të komunikuar me Ramën atë ditë, sepse ai më ka nderuar dhe ka vizituar në vendin e origjinës sime, Skraparin dhe ka qenë në Berat për të marrë pjesë në mitingut që zhvillohej në të njëjtën kohë me atë të opozitës në Tiranë. E vërteta është që kam bërë një përpjekje për të takuar Ruçin. Ai ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës. Kjo është e gjithë historia pse zoti Rama nuk ka qenë i surprizuar për këtë vendim. Unë jam i surprizuar nga reagimi i tij pas këtij vendimi. Megjithatë ka kohë të reflektojë”, tha Meta.
Ndërkohë sipas Metës, kryetari i opozitës, Lulzim Basha është vënë në dijeni të vendimit për çdekretimin e zgjedhjeve disa momente përpara fillimit të protestës së 8 kombëtare të opozitës.
“Basha nuk e ka ditur, e ka marrë vesh këtë vendim disa momente përpara fillimit të mitingut përmes një telefonate nëpërmjet sekretarisë telefonike, ku i është kërkuar që të ndërpritet mitingu në çdo moment që do ketë një manifestim dhune, natyrisht duke i bërë të ditur faktin që do bëhet publik dekretin për të shfuqizuar zgjedhjet në mënyrë që të çtensionohej manifestimi i grupeve të caktuara dhe që të përfundonte sa më shpejt ai manifestim”, tha Presidenti./abcnews.al