Drejtuesit e trenave përfundojnë grevën në Gjermani një ditë më herët

schedule18:02 - 27 Janar, 2024

schedule 18:02 - 27 Janar, 2024

Sindikata e makinistëve gjermanë “GDL” do ta përfundojë grevën më herët se sa ishte planifikuar për shkak se negociatat me kompaninë “Deutsche Ban” vazhdojnë, njoftuan këtë të shtunë të dyja palët.

Greva, e cila është e katërta dhe më e gjata në një mosmarrëveshje disamujore mbi pagat dhe orët e punës, filloi në orën 2:00 të mëngjesit të së mërkurës, 24 janar dhe do të zgjaste deri të hënën në mbrëmje. Mirëpo sindikata njoftoi se të dielën në orën 18:00 do të përfundojë grevën e mallrave, ndërsa të hënën në orën 14:00 grevën e pasagjerëve.

Punëtorët e transportit në të gjithë Evropën kanë hyrë në grevë për të kërkuar një rritje të pagave për të luftuar ndikimin e inflacionit.

“Negociatat më në fund po vazhdojnë,” tha zyrtari i Deutsche Bahn Martin Seiler.

Të dy palët ranë dakord të zhvillojnë negociata për pesë javët e ardhshme dhe se nuk do të ketë ndalesa të punës deri të paktën më 3 mars.

Diskutimet do të jenë konfidenciale dhe palët nuk do t’i drejtohen publikut deri në përfundimin e negociatave.

Një nga kërkesat kryesore të “GDL” është zvogëlimi i orarit të punës në një javë pune 35 orëshe nga 38 orë që janë aktualisht, ndërkohë që në të njëjtën kohë stafi merr pagë të plotë.

Deutsche Ban e hodhi poshtë këtë kërkesë si shumë të shtrenjtë dhe deklaroi se duhej të punësonte edhe 10 për qind të fuqisë punëtore për të mbushur boshllëkun./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!