Drejtuesit e qarqeve përçajnë PD/ Marku: Për Gjekmarkajn nuk u pyet asnjë demokrat në Lezhë

schedule17:27 - 5 Shtator, 2024

schedule 17:27 - 5 Shtator, 2024

Ish kreu i PD Lezhë, Paulin Marku thotë se demokratët e këtij qarku, nuk u pyetën në lidhje me caktimin e Agron Gjekmarkajt si drejtues politik.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Marku u shpreh se emërimi i Gjekmarkajt u bë nga kryesia e PD, dhe sipas tij, nuk përbën vlerë të shtuar për bazën.

“Normalisht, është një vendim i kryesisë së PD, që ka propozuar dhe përzgjedhur delegatë në 12 qarqe. Gjatë gjithë kësaj periudhe, PD ka pasur të deleguar, por duke u nisur nga situata aktuale, besoj se kjo ka një rëndësi të veçantë. Unë nuk dua të komentoj emra jashtë apo brenda listave. PD, në Lezhë, besoj që pjesa më e madhe e strukturave të PD, kanë qenë pjesë dhe mbëshetetës të Rithemelimit. Demokratët e Lezhës, në atë periudhë mbështetën Rithemelimin, duke pasur parasysh zhgënjimin që demokratët kishin në 8 vite nga zoti Basha. Duhej diçka e re, jo diçka e vjetër. Nuk është faji i demokratëve për humbjet. Shumë demokratë e kanë vuajtur përçarjen që PD kishte brenda llojit.

Demokratët, kanë disa vite që kanë përplasje mes llojit, një pjesë ngrinin dolli në seli, një pjesë protestonin para selisë. Ajo seli i takon demokratëve. Unë kam bërë fushatë në 2021 me zotin Gjekmarkaj. Si Gjekmarkaj dhe deputetë të tjerë, duhet të jenë afër demokratëve, nuk duhet të jenë të emëruar. I vetmi momenti kur u takua me demokratët e Lezhës, ishte kur bënte propagandë, herëve të tjera ka qenë larg strukturave të PD. Nuk mund të jetë vlerë e shtuar nga karriget e Tiranës. Disa deputetë nuk janë dukur në qarqe gjatë fushatave elektorale. Reagimi i demokratëve, nuk ka qenë pozitiv. Unë jam opozitar, nuk jam pro qeverisë. Sa herë janë bërë pazare, delegime nga Tirana, nuk ka kanë qenë rezultate pozitive.

Stuktruat e PD kanë reaguar për një emërim që vjen nga kryesia e PD. Janë reagimet e njerëzve, që kanë funksione kryesore në degën e PD, Lezhë. Secili demokrat duhet të ngrejë zërin. Asnjë nga demokratët e Lezhës nuk është pyetur. Nuk e di nëse janë pyetur kryetarët e degëve”, theksoi ai.

Marku e shikon Sali Berishën si motorin e fitores për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, por vetëm nëse emërimet bëhen nga votat e demokratëve përmes primareve.

Ndër të tjera, Marku deklaroi se demokratët e Lezhës e mbështesin Berishën edhe në kushtet në të cilat ai gjendet aktualisht, teksa shtoi se nëse përzgjedhjet e drejtuesve apo deputetëve bëhen prej tij, PD rrezikon zgjedhjet parlamentare.

“E para, është vendosur në statut tek PD, që kandidaturat për çdo palë zgjedhje, duhet të vijnë nga anëtarësia, me pjesën e primareve, do jetë vota e demokratëve që do të përcaktojë vullnetin se kush do t’i përfaqësojë në parlament ose nesër për kryetar bashkie. Kemi mbështetur Sali Berishën, duke e ditur, me problematiket normale, që janë çështje personale, por tek pjesa e anëtarësisë së PD, sa i përket degës së Lezhës, ka besimin dhe ka mbështetjen maksimale në kushtet konkrete, reale në të cilat ndodhet PD sot . Normalisht, këto nuk janë momente për lidership apo ndërrime lidershipi, por demokratët me përzgjedhjen nga anëtarësia, t’i paraprijnë fushatës elektorale për të qenë të gatshëm për fitore në 2025. Nëse përzgjedhjet do të bëhen nga Tirana, jashtë anëtarësisë, do jetë e  vështirë dhe një fitore shumë e rrezikuar për demokratët. Unë flas demokratët në përgjithësi, Berisha është pjesë e mbështetjes nga demokratët, nuk mund të jetë Berisha jashtë anëtarësisë së PD, por bashkë me anëtarët e PD, me strukturat e mirëorganizuara, me një bashkim vlerash dhe jo karrigesh nga Tirana, dhe me realitetin e keqqeverisjes, unë besoj se është momenti për një rotacion politik normal dhe demokratik. Nëse do të vazahdojmë me emërime apo me sugjerime nga Tirana, unë besoj se do të rrezikojmë shumë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025”, nënvizoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!