“Drejtuesit e policisë të lidhur me Sigurimin e Shtetit”, Lleshaj: Mbaj përgjegjësi për emërimin

schedule10:51 - 1 Shtator, 2020

schedule 10:51 - 1 Shtator, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur nga Korça pas deklaratës së anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Vettingut se Drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit Gjovalin Lokaj ka qenë sigurims.

Lleshaj tha se mban përgjegjësi për emërimin e tij, ndërsa shprehu vlerësimet maksimale për punën e Lokës, duke injoruar kërkesën e opozitës për shkarkimin e tij.

“Për emërimin e Gjovalin Loka, unë si ministër e kam emëruar dhe sigurisht mbaj përgjegjësi.  Gjovalin Loka është drejtues i lartë i policisë së shtetit dhe një drejtues që ka dhënë kontribut për sigurinë e këtij vendi.

Ka kaluar me sukses procesin e vetingut dhe është në krye të detyrës me krejt motivim dhe mbështetjen tonë”, tha Lleshaj.

Lleshaj iu përgjigj edhe akuzave të opozitës lidhur me emërimin e Albert Dervishajt në postin e zv-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Albert Dervishaj i emëruar në këtë detyrë pak ditë më parë.

Sipas PD Dervishaj ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit për 10 vite, ndërsa ministri i quan këto aludime dhe akuza të pabaza.

“Ministri Lleshaj e ka emëruar dhe sigurisht që mban përgjegjësi për emërimin e tij. Opozitës nuk i jap përgjigje sepse janë akuza dhe aludime të pabaza”, tha Lleshaj.

Gjovalin Lokaj kaloi vettingun në datën 19 gusht, ku u njoh edhe me gjetjet e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

Lokaj kërkoi nga anëtarët e komisionit që të mos e paragjykojnë për shkak të studimeve, duke deklaruar se nuk ka dënuar apo keqtrajtuar asnjë.

Ndërkohë Autoriteti i Dosjeve solli një raport të dytë ku thuhej se Lokaj nuk ka firmosur asnjë dokument gjatë kohës kur ka punuar si operativ i Sigurimit të Shtetit në zonën e Bicajt në Kukës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!