Përmes një letre të përbashkët, zyrtarët e lartë të BE-së kanë kërkuar nga vendet anëtare që të japin dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në letër, krerët e organizmave europianë vlerësojnë se dy vendet i kanë përmbushur kushtet.
Krerët e strukturave qeverisëse të Bashkimit Europian kanë bashkuar zërat në një letër të përbashkët, duke u kërkuar vendeve anëtare që të mos e pengojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Letra mban firmat e presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, pasueses së tij Ursula von der Leyen; presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk dhe të atij të euro-parlamentit, David Sassoli. Në letër, liderët e BE-së vlerësojnë njëzëri se Unioni ndodhet përpara një zgjedhjeje strategjike.
“Vendimi i BE-së për të hapur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një test për aftësitë e Unionit për të mbajtur premtimet e tij dhe për të parë drejt së ardhmes”, thuhet në letër.
Zyrtarët e lartë europianë shprehen se, përballë ndryshimeve që po përjeton bota, integrimi i vendeve europiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kriteret në procesin e anëtarësimit do të ndihmonte BE-në të ruante rolin e tij në arenën politike ndërkombëtare.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që ne u kërkuam. Kjo arritje kërkoi një përpjekje domethënëse nga qytetarët e këtyre vendeve, për të cilët perspektiva europiane ka qenë një burim i madh motivimi dhe vendosmërie”, thuhet në letër.
Liderët europianë shprehen të vetëdijshëm se procesi mund të hasë probleme në rrugën e tij dhe se do të nevojitet shumë punë me reformat për të ecur përpara, por kanë shtuar se BE duhet të thellojë bashkëpunimin me vendet kandidate për t’iu përshtatur sa më mirë procesit të zgjerimit.
“Ndaj ne besojmë se ky është momenti i duhur për të hapur negociatat me të dyja vendet”, thuhet më tej në letër.

/abcnews.al

