Drejtuesi i SPAK, tre kandidatët paraqesin platformën: Kjo prokurori do të hetojë zyrtarët e korruptuar

schedule17:13 - 18 Dhjetor, 2019

schedule 17:13 - 18 Dhjetor, 2019

Pritshmëria e publikut për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është e madhe dhe sytë janë drejtuar nga SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar intervistat me 3 kandidatët për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e njohur ndryshe si SPAK. Para antarëve të KLP qëndruan prokurorët: Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili, të cilët paraqitën vizionin e tyre për drejtimin e SPAK. Drejtuesi i komanduar i apelit për Krime të Rënda, Altin Dumani, i cili ka hetuar rreth 5 mijë dosje gjatë karrierës së tij në Prokurori të ndryshme të vendit, mes të cilave bandën e Lushnjes dhe bandën e Durrësit, theksoi se SPAK do të godasë pa kompromis korrupsionin në çdo nivel dhe krimin e organizuar.

“Kjo Prokurori do të godasë pa kompromis krimin e oganizuar me të gjithë forcën e ligjit me qëllim ç’rrënjosjne e kulturës së pandëshkueshmrësi. Byroja kombëtare e hetimit është si një mushkëri që furnizon me ajër trupin e SPAK dhe pa patur funksionalë Byronë Kombëtare të Hetimit, puna jonë do të vështirësohet”, tha Altin Dumani.

Për prokurorin Arben Kraja, fokusi kryesor në  vizionin e tij për drejtimin e SPAK është lufta kundër korrupsionit. një çështje për të cilën Shqipëria është kritikuar ashpër edhe nga vendet e huaja.

“Qeveritë e SHBA-së në listën e tyre të publikuar për bllokimin e zyrtarëve të korruptuar, 10% janë shqiptarë. Shqetësimi kryesor i tyre është mosgoditja e nivelit të korrupsionit aty ku duhet”, deklaroi  Arben Kraja.

Ndërsa prokurori Edvin Kondili, gjatë prezantimit të platformës së tij tha se pavarësia e prokurorëve është shumë e rëndësishme dhe se duhet përmbushur pritshmëria e publikut për drejtësinë. Pritoritet i tij si drejtues i SPAK është hetimi i pasurive të krijuara nga aktivitete të paligjshme dhe kriminale.

“Hetimi pasuror është një nga komponentët thelbësor të funksionimi të Prokurorisë së Posaçme për të arritur rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.” u shpreh Edvin Kondili.

Drejtuesi i SPAK do të ketë një mandat 3- vjeçar pa të drejtë rizgjedhje. Të enjten pas betimit te Presidenti i Republikës, KLP do të bëjë publike pikëzimin dhe më pas do të votojë se kush do të drejtoje Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, që do të hetojë zyrtarët e korruptuar në të gjitha nivelet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!