Zgjidhet drejtori i ri i Hipotekave

schedule18:07 - 24 Nëntor, 2017

schedule 18:07 - 24 Nëntor, 2017

Elion Semanaj është emëruar në krye të Hipotekës, duke zëvendësuar në këtë detyrë Blerina Doracajn, të emëruar në 20 korrik të këtij viti, pas largimit të drejtorit teknik të prodhuar nga marrëveshja e 18 majit. Semanaj u përzgjodh për këtë detyrë të rëndësishme, përmes konkursit të çelur disa javë më parë për këtë qëllim nga Ministria e Drejtësisë.
Elion Semanaj u prezantua sot në krye të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nga ministrja e Drejtesise, Etilda Gjonaj. Me profesion jurist, i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, Semanaj vjen në këtë detyrë pas asaj të drejtorit ekzekutiv të Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, në të cilën ishte emëruar në 15 maj të këtij viti nga ministri Damian Gjiknuri. Më herët, në vitin 2016, Elion Semanaj kishte kandiduar mes disa emrave të tjerë për postin e kryetarit të KQZ, por më pas ishte tërhequr nga kjo garë./abcnews.al