Drejtësia, presioni i BE-së gjunjëzon Poloninë

schedule19:04 - 21 Nëntor, 2018

schedule 19:04 - 21 Nëntor, 2018

Presioni i Bashkimit Europian ka gjunjëzuar Poloninë, duke detyruar qeverinë e këtij vendi të ndryshojë ligjin për Gjykatën e Lartë, që i jepte kontroll të plotë mbi gjyqësor. Krahas kësaj, qeveria polake ka humbur mbështetje tek qytetarët për shkak të një skandali korrupsioni.

Mazhoranca qeverisëse në Poloni nxitoi të mërkurën të miratonte një amendament në Parlament, që kthen mbrapsht ndryshimet e bëra në ligjin për Gjykatën e Lartë, pas presionit të rritur nga Bashkimi Europian. “Ne do të përmbushim detyrimet tona dhe në të njëjtën kohë do të vijojmë me ndryshimet e tjera në sistemin e drejtësisë”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Zbignjev Ziobro. Në tetor, Gjykata Europiane e Drejtësisë urdhëroi Poloninë të pezullonte atë reformim që i jepte qeverisë kontroll të plotë mbi gjyqësorin dhe njëkohësisht detyronte shumë gjykatës të jepnin dorëheqjen. Që prej implementimit të atij ligji, mbi 20 gjyqtarë të Gjykatës Supreme, rreth 1 e treta e totalit, u detyruan të braktisnin detyrën. Ndërkohë, me amendamentin e miratuar të mërkurën, të njëjtët gjyqtarë kanë mundësi të kthehen. Që kur mori pushtetin në vitin 2015, partia Ligj dhe Drejtësi ka patur një mbështetje të fuqishme nga populli, për shkak të përfitimeve nga rritja e fortë ekonomike, rritja e mirëqënies, shpenzimeve publike dhe madje retorikës nacionaliste. Por një sondazh i kësaj jave tregonte se mbështetja ishte tkurrur për shkak të një skandali korrupsioni. Sondazhi i publikuar të martën tregonte se mbështetja për mazhorancën kishte rënë me 5 pikë përqindjeje, në 33 për qind; ndërsa ishte rritur ajo për opozitën me të njëjtën kuotë, në 26 për qind. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!