Kryeministri Edi Rama thotë se PS e ka propozuar në reformën në drejtësi që kur ishte në opozitë. Në konferencën e fundvitit për gazetarët, duke iu përgjigjur pyetjes për drejtësinë e re, Rama u shpreh se institucionet e drejtësisë po godasin aty ku duhet të godasin, qoftë majtas apo djathtas.
“E para, është e habitshme për mua që prej vitesh i përgjigjem kësaj pyetjeje, nuk e di se çfarë nuk kuptohet nga ato që them unë. Por, dua t’ju kujtoj se ao që po ndodh me drejtësinë nuk është e shkëputur nga ajo që unë kam thënë. Janë bashkë. Sepse kur kam thënë nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin por sistemi që korrupton njerëzit, nuk kam thënë që e kam shpikur unë. Është dituri publike dhe e besoj 100 përqind. E dyta, pikërisht sepse e kam besuar atë që kam thënë, kam udhëhequr përpjekjen për reformën në drejtësi si pjesë e betejës për të ndërtuar një sistem që njerëzit nuk mund ta korruptojnë. Kur thoni se sa shumë njerëz, nuk e di se me çfarë e masni këtë. Shumë apo pak është relative. Varet nga çfarë pike referimi nisesh për të thënë shumë ose pak. PS ka 800 mijë mbështetës, do të ketë edhe më shumë në pranverë. Besoj duhet të ketë pasur gjatë këtyre mandateve mbi 50 ministra.
Duhet të ketë pasur mbi 500-600 drejtues vendorë, mbi 200 deputetë. Çfarë do të thotë tani që shumë çfarë? E dyta, patjetër se dikush mund të thotë se reformën në drejtësi e solli Amerika me aeroplan apo BE me vapor nga Brindizi, ndërkohë që për këdo që njeh ose do të njohë historinë e reformës në drejtësi mjafton që të kthehet pas në histori kur ne ishim në opozitë, shumë më parë sesa 2013 se janë në dokumente. Ka një dokument të shkruar që opozita e asaj kohe, se tani jeni mësuar me opozitën pa shkrim e këndim. Opozita e asaj kohe ia ka çuar qeverisë asaj kohe një dokument propozimesh, që quhej pakti për shtetin e së drejtës. Lexoni se çfarë thotë. Ka prap më pas, ka shënime të mbajtura në mbledhjet për programet e PS në opozitë. Do të bëjmë reformën. Jo nuk e bëjmë dot se duhen ndryshime kushtetuese dhe nuk e vëmë dot në program. Do ta heqim drejtësinë nga duart e pushtetit politik, janë fakte të shkruara. Keni përballë kryedëshmitarin.
Ka disa që thonë i kapën të gjithë. Habi e madhe. Secili ka këndvështrimin. Ajo që di të them është që nëse kjo po ndodh në Shqipëri, të drejtën e autorit për faktin që u shemb një sistem, dhe e kam thënë, i keni të regjistruara që nga i ndjeri president tek të tjerët, që më sulmonin pse thosha se do ta shembur këtë sistem drejtësie. Është shembur apo jo? A do ta pastrojmë llumin? Është pastruar një pjesë e madhe apo jo? Kur kam thënë në mënyrë të përsëritur që të shihë drejt dhe të godasë kë duhet goditur, majtas e djathtas, mendoni që kam bërë retorikë përqejf. Kam menduar çdo gjë që kam thënë.”, u shpreh Rama./abcnews.al