“Drejtësia, e shndërruar në një parti politike”, Gjekmarkaj: Berisha mbahet nën arrest për shkak të vitit elektoral

schedule20:18 - 11 Nëntor, 2024

schedule 20:18 - 11 Nëntor, 2024

Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj thotë se drejtësia është shndërruar në një parti politike në aleancë me pushtetin. I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, duke komentuar sulmet e Sali Berishës për reformën në drejtësi, Gjekmarkaj u shpreh se kreu i PD-së ka treguar koherencë.

“Mund të them me analizë sipërfaqësore që nuk ndodh në asnjë vend demokratike që të gjithë shefat e opozitës të shkojnë njëri pas tjetrit në burg në kohën e skadencave elektorale dhe për mua kjo është një shndërrim i drejtësisë në parti politike në një aleancë okulte me pushtetin dhe kjo është e trishtë. Sa i përket deklaratave të zotit Berisha, më duket koherent. Ai këtë linjë ka mbajtur përtej ngjyrave dhe toneve një ditë më pak e një ditë më shumë, është koherent në qëndrimin që ka mbajtur.”, tha Gjekmarkaj.

Sipas tij, Berisha mbahet në arrest shtëpie për ta penguar të bëjë aktivitet politik për zgjedhje.

“Unë jam dëshmitar se si është shkelur Kushtetuta për të penalizuar Berishën. Çështja është në GJK, dhe shpresoj që ta respektojë Kushtetutën sepse është krijuar precedent që e vë kuvendin nën organet e drejtësisë ndërkohë që janë të pavarura. Dosja e tij, në optikën time, nuk bind çka lë të kuptosh se Berisha është në arrest politik. Në momentin që kuvendi u mblodh Berisha u bind dhe e pranoi masën paçka që për PD ishte masë e paduhur. Tani hetimi ka mbaruar dhe përsëri mbahet në arrest. Nuk është person që largohet nga vendi, e ka dëshmuar këtë në 97. Nuk mund të prishë, por mbahet që të mos jetë në aktivitet politik për të udhëhequr opozitën në këtë vit elektoral.”, shtoi Gjekmarkaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!