Me mijëra njerëz u mblodhën përreth Londrës për të protestuar ndaj vrasjes barbare të George Floyd- një burrë me ngjyrë i paarmatosur që u vra barbarisht nga një polic.
Pas protestave masive, zjarrit dhe kryengritjes të njerëzve thuajse në të gjithë shtetet e Amerikës, britanikët kërkojnë gjithashtu drejtësi. Me pankarta në duar që lexojnë “Drejtësi për George Floyd”, qytetarët në Londër kanë marshuar rrugëve duke thyer kështu edhe rregullat e karantinës dhe distancimit social.
Protestat janë mbajtur pranë Ambasadës Amerikane në Londër. Nën shprehjet: “Jetët e njerëzve me ngjyrë vlejnë”, “racizmi nuk njeh vend” dhe “S’marr dot frymë”, protestuesit e prekur nga ngjarja bllokuan rrugën drejt ambasadës.
Trafiku në shumë vende të Londrës dhe protestuesit janë përshëndetur me duartrokitje nga makinat e rastit për pasionin dhe emocionin që i bashkoi kundrejt një çështjeje kaq delikate.
Ndërkohë në Amerikë, që nga dita e vdekjes së George, me miliona njerëz kanë protestuar agresivisht, nga ku të paktën 1600 vetë në 22 shtete janë arrestuar si pasojë e dhunës së shfaqur gjatë revoltës.
Prej 5 ditësh, qytetarët e zemëruar kundrejt sjelljes barbare dhe raciste të policisë, kanë ndezur zjarr, kanë shkatërruar makina, ndërtesa dhe kanë përdorur lëndë të dëmshme si revoltë kundrejt vrasjes së padrejtë të Geogre Floyd, revoltë të cilës po i bashkohet e gjithë bota./abcnews.al