Drejt fundit rinumërimi në Xhorxhia, nuk pritet ndryshim rezultati

schedule23:40 - 19 Nëntor, 2020

schedule 23:40 - 19 Nëntor, 2020

Një nga shtetet kyç të garës presidenciale në SHBA pritet të konfirmojë të enjten fitoren e Joe Bidenit ndaj Donald Trumpit pas një rinumërimi tepër të kujdesshëm.

Zyrtari i ngarkuar me vënien në përdorim të sistemeve të votimit në Xhorxha, Gabriel Sterling, i tha rrjetit televiziv Fox News se rivlerësimi i votave dhe rinumërimi i tyre në këtë shtet, po shkonte drejt përfundimit dhe se pritej të konfirmonte epërsinë e Biden. Ai i quajti akuzat për parregullsi në votime “si karakterizime pasakta”.

“Gjë e mirë në këtë proces ishte se u gjetën disa fletëvotime të panumëruara që u llogaritën në mëngjes, siç tha ai. “Rinumërimi po ecën shumë mirë”, shtoi zoti Sterling.

Nëse zyrtarët e zgjedhjeve në Xhorxhia çertifikojnë fitoren e zoti Biden në këtë shtet, ai do të ngjitej në nivelin e 306 vota elektorale ndaj 232 të fituara nga zoti Trump, një numër shumë më i madh sesa minimumi prej 270 votash elektorale të nevojshme për t’u shpallur fitues.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump kanë paraqitur padi në një numër shtetesh pothuajse pa sukses deri më tani. Këto lëvizje ligjore, shoqëruar në disa raste me gabime faktike, janë hedhur poshtë nga zyrtarët e fushatës së Biden si shfaqje “teatrale”.

Të enjten avokati i zotit Trump Rudy Giuliani tha se ekipi ligjor i Trump po tërhiqte padinë që sfidonte rezultatin e zgjedhjeve në Miçigan, ku këtë javë zoti Biden u çertifikua si fitues pas një serie ngjarjesh të ndërlikuara.

Në Pensilvani, ku zoti Biden fitoi me 82 mijë vota, zyrtarët e fushatës së Trump po i kërkojnë një gjykatësi ta shpallë atë fitues në këtë shtet, duke thënë se institucioni ligjvënës i shtetit, i kontrolluar nga republikanët, duhet të zgjedhë 20 anëtarët e Kolegjit Elektoral të këtij shteti.

Në Uiskonsin, zyrtarët e fushatës së Trump kanë paguar për një rinumërim të pjesshëm të votave edhe pse zyrtarët e zgjedhjeve atje thonë se kjo ka vetëm të ngjarë vetëm të shtojë avantazhin e Biden prej me 20 mijë votash aktualisht, në këtë shtet me 10 vota elektorale.

Disa zyra të njohura avokatore janë tërhequr nga nismat ligjore të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump, duke lënë avokatin personal të tij, Rudi Giulianin të drejtojë këto përpjekje.

Të enjten Trump shkruante në Twitter se avokatët do të flasin rreth “një rruge të sigurt drejt fitores” gjatë një konferencë për shtyp në orën 17.

Zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore apo federale si dhe ekspertë të jashtëm, thonë se argumenti i zotit Trump se zgjedhjet u vodhën për shkak të manipulimeve të përhapura, nuk bazohet në fakte.

Sidoqoftë ato duket se po ndikojnë tek besimi i publikut ndaj demokracisë amerikane. Sipas një sondazhi të zhvilluar nga Reuters dhe kompania Ipsos lëshuar të mërkurën, gjysma e republikanëve besojnë se zoti Trump “i fitoi me të drejtë” zgjedhjet.

Zyrtarja e lartë e zgjedhjeve në Arizona, demokratja Katie Hobbs, tha se ajo dhe familja e saj kishin marrë kërcënime të rënda. Ajo kërkoi nga Presidenti Trump të ndalë siç tha hedhjen e dyshimeve mbi rezultatin në këtë shtet, në të cilin ai rezulton se humbur me rreth 10 mijë vota.

Presidenti Trump, i cili që pas zgjedhjeve ka qëndruar kryesisht në Shtëpinë e Bardhë dhe larg syve të publikut, nuk ka të planifikuar ndonjë aktivitet publik gjatë ditës së sotme (e enjte).VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!