Politikani dhe shkrimtari serb Vuk Drashkoviç ka deklaruar se vendimi i Këshillit Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ka dëshmuar se Bashkimi Evropian është një partner i pasigurt. Duke folur për Televizionin shtetëror të Malit të Zi, ish-ministri i jashtëm i federatës serbo-malazeze ka vlerësuar se vendimi negativ nga Brukseli e fut Maqedoninë në një krizë të re.
Vuk Drashkoviç, ish-ministri i Jashtëm nga koha kur Serbia e Mali i Zi përbënin një federatë, ka ka kritikuar vendimin e Bashkimit Evropian që Shkupit e Tiranës zyrtare të mos i jepet data për çeljen e negociatave. Drashkoviç i tha televizionit malazez se shpreson se NATO-ja nuk ka për t’i gjasuar BE-së, në të kundërtën – ai parashikon që kaosi të mbërthejë rajonin
“Bashkimi Evropian u tregua si një partner i pasigurt dhe si mashtrues! Ky është një vendim i rrezikshëm. Na mbetet vetëm shpresa se NATO-ja nuk ka për t’i gjasuar Bashkimit Evropian, në të kundërtën këtu në Ballkanin Perendimor do të kishim shumë shpejt një kaos e mbase edhe luftë”, tha Drashkoviç duke nënvizuar se ky vendim i hap shtegun ndikimit rus, turk e kinez në rajonin për të cilin si shkrimtar thotë se është i talentuar për fatkeqësi.
Duke komentuar vendimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për të shkuar në zgjedhje të parakohshme pikërisht për shkak të mosmarrjes së datës për çeljen e negociatave për aderim në Bashkimin Evropian, ish-kryediplomati i Beogradit parashikon ditë të vështira për vendin. Thotë se Maqedonia e Veriut është në rrezik të madh:
“Unë mendoj se Zaev ndërmori një hap mëse të rrezikshëm për shkak se njerëzit të cilët në zgjedhjet e kaluara votuan me entuziazëm dhe shpresë për Evropën tani do të jenë të zhgënjyer dhe një numër i madh i tyre as që do të dalë në zgjedhje. Nga ana tjetër, ajo VMRO-ja, të gjithë ata të cilët janë për urrejtje, pastaj agjenturat ruse, ata do të marrin krahë. Vetëm se mund të imagjinoj tani se çfarë vrulli do të marrin ato forca të cilat dëshirojnë që nga Ballkani të bëjnë një Siri në interes të tyre strategjik dhe kështu pas Sirisë të përfundojmë si Venezuela”, thotë Drashkoviç për televizionin shtetëror malalez.
Në këtë shtrirje ish-kryediplomati serbo-malazez nuk është optimist për fillimin së shpejti të negociatave Kosovë-Serbi. Përse?
“Për shkak se nuk lejon Rusia. Shprehimisht duhet thënë të vërtetën. Vjen kryeministri rus Medvedev, këto ditë, dhe e din se nuk e thotë të vërtetën. Thotë: Rusia vazhdon të ruajë tërësinë tokësore e sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën”,
Ndërkohë, duke e zhvilluar tezën e ndikimit të Moskës në rajon, të mërkurën me rastin e promovimit të një libri të tij në Beograd, Vuk Drashkoviç saktësoi se është Rusia ajo që në Ballkan dëshiron të ketë një lloj Venezuele apo Sirie të veten për të penguar kështu integrimin euro-atlantik të tij./ABC News Albania