Drama në Mariupolin e shkatërruar nga rusët, frikë për 20 mijë të vrarë

schedule21:29 - 22 Prill, 2022

schedule 21:29 - 22 Prill, 2022

Pamjet nga Mariupoli i rrethuar janë makth. Ndërsa kryebashkiaku i qytetit citon deklaratat e dëshmitarëve okularë që denoncojnë mizoritë që kanë parë dhe vazhdojnë të shohin.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës pranon se situata është “jashtëzakonisht e vështirë”. Në të njëjtën kohë, zyrtarët thonë se kontrolli i qytetit mbetet tek ukrainasit, megjithëse pala ruse pretendoi 24 orë më parë se ai ishte pushtuar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës tha se sulmet ajrore ruse janë rritur me më shumë se 50 për qind në orët e fundit, duke synuar infrastrukturën.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Mariupolit, duke folur për BBC, tha se sipas vlerësimeve, në qytet besohet se janë vrarë rreth 20 mijë persona, ndërsa 90% e infrastrukturës urbane është shkatërruar. Imazhet satelitore tregojnë se varrezat u zgjeruan pranë qytetit për të varrosur 200 trupa të tjerë.

Vadim Boichenko foli për mizori. “Tashmë ka deklarata nga dëshmitarët okularë në Mariupol për mizoritë që ata panë dhe vazhdojnë të shohin, për fat të keq”.

Situata në uzinën e Azovstal mbetet dramatike. Sipas Komisioneres Parlamentare të Ukrainës për të Drejtat e Njeriut, Lyudmila Denisova, rreth 1000 civilë janë bllokuar në fabrikë. Mes të bllokuarve ka foshnja, fëmijë, të moshuar. Përveç kësaj, 500 ushtarë janë lënduar në strehimore, pa ujë dhe ushqim.

Rusia thotë se është e gatshme të respektojë në çdo kohë një armëpushim “në tërësi ose pjesërisht” të fabrikës, bastioni i fundit i forcave ukrainase në Mariupol, për të lejuar ushtarët të largohen nga zona. Sipas ministrisë, pretendimet e Ukrainës dhe disa vendeve perëndimore se Rusia i ndalon civilët të largohen nga qyteti janë “të pabaza”, raportoi TASS.

“Pika e fillimit për këtë armëpushim humanitar do të jetë ngritja e flamujve të bardhë nga grupet e armatosura ukrainase në të gjithë Azovstal ose një pjesë të tij”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë, duke shtuar se të evakuuarit do të kenë mundësinë të transferohen. Ministria siguroi gjithashtu se ushtarët ukrainas do të trajtohen mirë.

Ministria tha se ia kishte përcjellë propozimin zëvendëskryeministres ukrainase Irina Verestsuk, OKB-së, OSBE-së dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Për situatën në Mariupol, përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrell, i cili denoncoi Rusinë për mizori kundër civilëve me pretekstin e gjoja të “çlirimit” të qytetit theksoi se korridoret humanitare duhet të ngrihen menjëherë  në uzinën Azovstal  dhe  në pjesë të tjera të qytetit.

“Për javë të tëra, njerëzit kanë qenë dëshmitarë të një sulmi brutal të paligjshëm në Mariupol nga Rusia që ka çuar në shkatërrimin e gjerë të qytetit, duke përfshirë mizoritë kundër civilëve, nën pretekstin e shtrembëruar të çlirimit të qytetit. Mijëra banorë të saj janë deportuar në Rusi ose janë zhvendosur me forcë në zona që nuk kontrollohen nga qeveria,” tha ai.

Përveç kësaj, Përfaqësuesi i Lartë thekson se “megjithë masakrën e shkaktuar nga Rusia, më shumë se 100,000 qytetarë mbeten në Mariupol”.

“Ne përgëzojmë Ukrainën për përpjekjet e saj për të gjetur një zgjidhje diplomatike për evakuimin e civilëve dhe na vjen keq që Rusia nuk po reagon”, tha ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!