Dragoshi: Superiorja ka talente! Kualifikimi? Vetëm Anglia mbi të tjerët në grup

schedule09:02 - 25 Mars, 2021

schedule 09:02 - 25 Mars, 2021

Redon Dragoshi, produkt i Tiranës, është ftuar për herë të parë nga Shqipëria U21, pas paraqitjeve të mira në Superiore me fanellën e Kukësit. Më parë pjesë e Erzenit dhe Luftëtarit, anësori i djathtë nuk e fsheh lumturinë që trajneri Alban Bushi e ka pjesë të planeve.

“Si fillim, jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kombëtares. Është ndjesi e veçantë për çdo futbollist të jetë pjesë e Kombëtares sepse është tjetër gjë nga klubi. Ekipi ka shumë kualitet, ka shumë lojtarë nga Shqipëria që po rriten shumë. Shpresoj që t’u marrim të gjithëve maksimumin”, tha fillimisht Dragoshi, i cili më parë ka qenë edhe pjesë e Shqipërisë U19.

Me Shpresat ka shumë lojtarë të Superiores të grumbulluar dhe mbrojtësi shprehet kështu kur ia vënë në dukje: “Mendoj që jemi një shembull i mirë, sepse kemi ngjitur çdo shkallë me ngadalë. Kjo do të thotë që edhe Superliga ka shumë talente, ka shumë nivel si kampionat. Dhe besoj se është gjë e mirë për çdo futbollist që mund të luajë në Superligë si i ri, që të arrijë Kombëtaren”.

Në lidhje me kualifikueset, Dragoshi shtoi: “Mendoj që përveç Anglisë, të gjitha ekipet e tjera janë ekipe pak a shumë të të njëjtit nivel, me diferenca të vogla. Mendoj se do bëjmë mirë, pasi siç e thashë, ekipi ka shumë kualitet, ka shumë lojtarë cilësorë dhe shumica po aktivizohen edhe në klubet e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për një lojtar Kombëtareje. Mendoj se do ia arrijmë objektivat”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!